Mëngjesin e sotëm ka pasur sërish përplasje në hyrje të kantierit të Aeroportit të Vlorës, ku kamionë të kompanisë 2A Group kanë bllokuar portën kryesore, duke penguar hyrjen e nënkontraktorëve të kompanisë MABCO.
Sipas informacioneve paraprake, bllokimi i hyrjes është kryer me qëllim ndalimin e vijimit të punimeve nga grupet e kontraktuara prej MABCO-s.
Gjatë përplasjes, disa prej nënkontraktorëve të MABCO-s kanë arritur të futen me forcë në ambientet e kantierit. Megjithatë, porta është mbyllur sërish dhe aktualisht vijon të mbahet e bllokuar nga dy kamionë të vendosur në hyrjen kryesore.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, tensionet lidhen me mosmarrëveshjen e vazhdueshme mes MABCO-s dhe 2A Group për administrimin e kantierit dhe vijimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës.
