Konferenca e Kryetarëve ka pranuar dhe futur në rend dite për shqyrtim dy kërkesat për mocion me debat të kërkuara nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Pas diskutimit të tyre ditën e enjte pritet që mocionet me debat të kalojnë ose jo në seancë plenare në Kuvend.
Kujtojmë se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, i është drejtuar Kuvendit me dy kërkesa për mocion me debat, njëra ditën e sotme dhe tjetra dje. Kërkesa e sotme konsiston nën argumentin që protestat e vazhdueshme qytetare dhe shqetësimet e ngritura mbi qeverisjen, transparencën dhe mbrojtjen e interesit publik kërkojnë një diskutim të menjëhershëm në Parlament, ndërsa dje ata kërkuan një mocion me debat për raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Njoftimi i bërë nga Konferenca e Kryetarëve:
Të nderuar anëtarë të Konferencës së Kryetarëve,
Ju njoftoj se ditën e enjte, datë 25 qershor 2026, ora 10:00, do të zhvillohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, me rend dite:
1. Shqyrtimi i kërkesës së Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, z. Gazment Bardhi, “Për zhvillimin e mocionit me debat”, në lidhje me protestën dhe kërkesat e qytetarëve.
2. Shqyrtimi i kërkesës së Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, z. Gazment Bardhi, “Për zhvillimin e mocionit me debat”, mbi rezolutën P10_TA (2026)0217 të Parlamentit Evropian “Mbi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025”.


