Gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë ish-prokurorit të krimeve të rënda Gentian Osmani, i cili u shkarkua nga Vettingu. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), ka vendosur në favor të Osmanit, duke konstatuar se shkarkimi i tij nga detyra gjatë procesit të Vettingut ka shkelur nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili garanton të drejtën e respektimit të jetës private.
Sipas vendimit të publikuar nga Gjykata, masa e shkarkimit ishte joproporcionale në raport me shkeljet e konstatuara gjatë rivlerësimit kalimtar. Sipas GJEDNJ, problemi i identifikuar lidhej vetëm me mënyrën e deklarimit të kursimeve familjare në vitet 2011 dhe 2013 dhe jo me pasuri të pajustifikuara apo burime të paligjshme financiare.
Kujtojmë se Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi Osamanin në vitin 2019-të, pas ankimit të komisionerit publik ndaj vendimit të marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i cili e kishte konfirmuar në detyrë. Gentian Osmani, shërbeu si prokuror në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ishte pjesë e listës së kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurisë (KLP).
