Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Rrëfimi i pentitos në SPAK/ Bisedat në SKY dhe takimi në Holandë! Erion Alibej e kërkoi privatisht vrasësin e vëllait, Suel Çela ju betua që nuk kishte gisht

Shkruar nga Newsbomb
Rrëfimi i pentitos në SPAK/ Bisedat në SKY dhe takimi në
Ilustrim: Erion Alibej dhe Suel Çela - Masakra e Bradasheshit

Newsbomb.al zbardh një rrëfim të të penduarit të drejtësisë Erion Alibej dhënë prokurorëve të SPAK, kua ia tregon për masakrën që është bërë ndaj familjes së tij, konkretisht ngjarjen që mori emrin "masakra e Bradasheshit". Një grup qitësisht profesionistë i vranë vëllain, xhaxhanë dhe mikun e familjes.

Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay u qëlluan me breshëri plumbash teksa udhëtonin me një mjet "Range Rover" në rrethrrotullimin e Bradasheshit, duke mbetur të vdekur në vend. Për ngjarjen, SPAK akuzon si porositës vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.

Siç ka treguar vetë Erioni para prokurorëve, ditën e ngjarjes dy vëllezërit Çopja dhe disa nga njerëzit që kishin mbajtur në vëzhgim viktimat, i kanë thënë vazhdimisht se atentatin e kishte porositur Suel Çela, një person me ndikim të fortë në Elbasan.

"Në të njëjtën ditë...edhe ky grup-thonin 'Ua ka bërë Suel Çela, ju ka vra Suel Çela, ju ka vra Kamber Mehja, por shiko se Sueli nuk ka njeri tjetër.' Të njëjtën linjë sikurse grupi i Çapjave që thonin... ' ju ka vra Suel Çela, asnji tjetër nuk e bënte këtë tragjedi përveç atyre, se ska arsye se pse...", ka treguar Erion Alibej.

Ky shtetas tashmë ka marrë statusin i penduar i drejtësisë dhe ka treguar për disa ngjarje kriminale, mes tyre edhe ato që kanë prekur familjen e tij dhe hakmarrjen që ai ka ndërmarrë, më pas. Erion Alibej, sipas dosjes së SPAK, rezulton se në periudhën pas masakrës së Bradasheshit, ka folur vetë në telefon me Suel Çelën dhe ky i fundit e ka garantuar që s'kishte gisht në vrasje.

Rrëfimi i pentitos në SPAK/ Bisedat në SKY dhe takimi në
Viktimat e atentatit ne Bradashesh, Elbasan

"Gjatë asaj periudhe unë komunikova me Suelin, nëpermjet telefoni të kriptuar (për të cilat do jap shpjegime më tutje), që ma sjell një njeriu i tij. Fjalët e Suelit kanë qenë kto... 'unë nuk të kam hak e hile. Bahu i fortë dhe ki durim se çdo gja ka për të dalë. Nuk e di se sa mund të zgjasë por çdo gjë ka për të dalë. Unë po mundohem që edhe unë të zbuloj. Mke në mbështetje, mke në krah. Vetëm bërë durim, nuk jam unë, nuk është Xhoni, nuk është askush në këto llafe që po flasin nga ana ime. Në qoftëse ty të del një fjalë, vetëm një fjalë që e vërteton me fakt që është Xhoni, unë do ta sjell me duart e mia, pranë teje dhe masakroje, por të jesh i qartë që, në qoftë se të del Xhoni, Xhoni nuk bën asnji gja pa mu', kto kanë qenë fjalët e Suelit. I them unë...fjalët e mia kanë qenë vetëm që... 'kush mund të jetë tjetër?' i them. 'Po pse, tha, ti dyshon te unë prap?'. I thashë 'Po kush mund të jetë tjetër?'. 'Këtë nuk e di tha, por ki durim se do të dale', dhe i kam dhanë telefonin atij djalit që më erdhi dhe i kam thanë merre se nuk kam ça flas më me të", ka treguar Erion Alibej.

Për shumë muaj, ky shtetas rezulton se është angazhuar privatisht për të gjetur vrasësit e vëllait, xhaxhait dhe mikut turk të familjes, pavarësisht punës së Policisë së Shtetit. Me kalimin e kohës, Erioni tregon se në Elbasan kishte nisur të përflitej se autor të masakrës ndaj familjes së tij ishin vëllezërit Çopja.

Për t'u bindur rreth këtyre dyshimeve, ai ëhstë nisur drejt Holandës ku kishte lënë takim me Suel Çelën. Takimin, thotë se ia kishte rregullaur një shok i vëllait të tij të ndjerë, Endritit.

"Për një periudhë të gjatë jam interesuar vetë personalisht, me lidhjet e mija shoqërore por edhe me shoqërinë e Endritit, si dhe familjarët e mi, për të gjetur informacione për personat e atentatit ndaj Endritit dhe familjarëve të mi. Ishte një kohë që flitej se atentatin e kanë bërë vëllezërit Çopja, Hajdar Çopja, Franc Çopja. Në këtë kohë kam vajtur në Hollandë dhe kam takuar Suel Çelën, periudha nuk më kujtohet saktësisht. Për këtë takim më ka ndihmuar një shok i Endritit. Në Hollandë unë kam qëndruar në Rotterdam, kurse Sueli ishte në Den Haag (Hagë). E takoj Suel Çelën në shpinë e tij në Hagë.

U ulëm në tavolinë, filloi të diskutojë dhe më thotë që ta kanë bërë Franc Çopja, me Talon. Franci me Talon, me Kelin', kaq më përmend. Më përpara ngjarjes unë Talo Çelën nuk e kisha dëgju në jetën time. Ta thëm dhe Endriti ska pas dëgju kurrë për Talo Çelën, kur Talo Çelën e njifte gjithë qyteti se kush ishte, si ishte, ça ishte. Neve nuk e njihnim. 'Ta ka bërë Talo', më tha, 'Ta ka bërë Keli, ta ka bërë Franci me Darin', më tha. Por 'arsyeja pse ma kanë bërë kta?' i thashë. Më tha 'flitet për 50 kile që kanë humb në Angli...dhe sikur ia keni marrë ju....50 kile drogë. Du të theksoj që më përpara kisha dëgju dhe unë për këto 50 kilet. ... I thashë, Suelit, 'po mirë i thashë ti si mendon? Kjo qëndron?', dhe i them që të betohem se ska lidhje fare. Po të flas dhe po të them që nuk ekziston. Ti na njef se kush jemi, si jemi, qysh jemi, jena rrit bashkë ja dimë njëri-tjetrit, ku je ti, ku jam unë, si je ti, si jam unë.

Në moment që ishte kshu (ulur), ngrehet dhe më thotë Të betohem për Marion, kur ka dalë fjala, unë kam mendu-që-juve-ja- keni bërë dhe kam thanë mirë ja kanë bërë atyre pisave'. I thashë 'po Çapjat? Më kanë ardh ... kshu ... kshu ...kshu, më kanë thanë...' siç ua përmena më përpara ...më kanë thanë në këtë lloj forme për ty.' Me qeshi, më tha 'normalisht që ato do thojnë, do flasin Sueli...Sueli, se ashtu u intereson, por që të kenë gisht Çapjat me ty, me Endritin, unë se besoj, se ato, mesa di unë nuk kanë lidhje me Francin, me Darin. Unë se besoj.' Në bisedë e sipër, pastaj, po e shikoja, po flitshim, po diskutonim, i thashë e di që flet e gjithë Shqipëria për ty? E kam marrë mundimin të vi se du të të shof në sy, edhe sikur jeta ime të përfundojë ktu, të pakëtën, të vdes njëherë e mirë, mos të vdes nga pak'", ka treguar Erion Alibej.

Rrëfimi i pentitos në SPAK/ Bisedat në SKY dhe takimi në
Range Rover ku udhetonin tre viktimat e familjes Alibej

Po ashtu, në vazhdim të kësaj bisede dhe dëshmisë së tij, Erion Alibej tregon se Suel Çelës i ishin mbushur sytë me lot kur ai i kishte thënë se kur kishte marrë rrugën për në Holandë, e kishte llogaritur se edhe mund të vritej.

Referuar bisedës, del se Erion Alibej kishte plagosur "Xhonin", por Suel Çela e garanton se ky person nuk kishte lidhje me masakrën ndaj familjes Alibej dhe se ai nuk mund të organizonte atentat ndaj Endriti, kur plagosjen e kishte bërë vetë Erioni.

"Filloi, në atë moment, iu mbushën sytë me lot, më kapi qafën dhe më tha 'unë të kam si Marion. Nuk ka pse unë të arrij deri në këtë pikë, aq më tepër për Endritin. Endriti smë ka bërë asnjë gja. Në lidhje me Xhonin, Xhonit i gjujte ti, si gjujti Endriti. Nuk shkon kjo që unë ti gju Endritit prej Xhonit, se plagose ti Xhonin. Nuk shkon. Xhoni.... në qoftë se do të arrinte ta bante Xhoni këtë që i ndodhi Endritit nuk do ta bante kurrë pa mbështetjen time. Xhoni nuk gjen dot një armë, jo ma të baje një masakër. Ajo ishte një masakër, nuk ishte vrasje. Në qoftë se, aq më tepër, në qoftë se të ty të del Xhoni, ore nji fakt, du ta dish që jam unë mbrapa, dhe unë do ta bi kokën e Xhonit në tepsi', këto qenë fjalët e atij. Kam nejt goxha aty, pastaj jam largu. Mka dërgu përsëri atje ku më mori, po ky djali. Më tha mu mke në mbështetje, më ke në krah, po mundohem, jam mundu dhe po mundohem me shpirt që të të jap gjana të faktume, thjesht jo vetëm fjalë, por po ta them që e ke nga ata, ska asnji tjetër që ta kanë bërë këtë pjesë.' Nejta dhe pak aty, siç e thashë, dhe u ngrejta dhe ika", ka përmbyllur rrëfimin Erion Alibej.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar ndihmë nga autoritetet në Francë për komunikime në aplikacionin "SKY ECC" dhe rezulton se deklarimet e dhëna prej Erion Alibej dhe faktet e tjera shtesë, përputhen me provat se vrasja në Bradashesh është financuar nga vëllezërit Çopja.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese