Avokati Edmond Petraj, i ftuar në emisionin "Now" në Euronews Albania, ka komentuar mbi protestat në Tiranë, duke theksuar se ato kanë humbur karakterin social dhe janë përvetësuar nga politika.
Petraj u shpreh se 4 Korriku duhej të ishte një festë kombëtare, duke e lidhur rëndësinë e saj me marrëdhëniet historike me Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se protestat në këtë datë nuk duhen parë si antiamerikane, por sipas tij, simbolika e përdorur ka krijuar dyshime që pas dhjetë ditëve të para.
Sipas avokatit, protesta fillimisht kishte një “pastërti dhe sinqeritet” të dukshëm, të lidhur me nevojat sociale të qytetarëve, por më pas është radikalizuar në aspektin politik. Ai kujtoi se Berisha në fillim i sulmoi protestuesit, ndërsa më pas u ka kërkuar deputetëve, ish-deputetëve dhe simpatizantëve të bashkohen në protestë.
"Katër Korriku duhet të ishte festë kombëtare, pasi nga Amerika jemi këtu ku jemi. Të protestosh në atë datë nuk e bën protestën antiamerikane. Përtej kësaj, unë pashë një arkivol në Tiranë dhe një tjetër në Iran.
Nuk doja t’i shikoja në këtë pikë. Marrëdhënia për të cilën ishte vetëm një varr politik i një personi, duhej të kishte edhe një arkivol tjetër. Nëse protesta do të ishte e tillë, për mua nisën të lindnin dyshime përveç atij 10-ditëshi të parë. Tashmë protesta është përvetësuar në masën më të madhe nga Berisha.
Berisha në fillim i mallkoi të gjithë, i shau, pastaj vuri edhe deputetët që po i shanin; pas tre ditësh u tha: “Shkoni të gjithë në protestë, deputetë, ish-deputetë, kandidatë, simpatizantë.”
Ditët e para kam qenë pro asaj pastërtie dhe sinqeriteti, që duhej të mbetej protestë në pjesën sociale, sepse të gjithë e dimë që pjesa sociale në Shqipëri ka nevojë. Ndërsa sot ajo është radikalizuar në pjesën politike. Prezenca e partive politike në protestë më ka bërë të mendoj se kjo protestë u dëmtua. Në mëngjes të veshësh kostumin e një politikani, deputeti, dhe në darkë të heqësh xhaketën e të shkosh si qytetar, kjo nuk shkon.", tha avokati Petraj.
