Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe miku i tyre turk Erdal Duranay ranë pre e breshërisë së armëve të zjarrit dy ditë para Vitit të Ri, më 29 Dhjetor 2018. Ata ishin të shoqëruar nga bashkëshortet dhe fëmijët, të cilët fatmirësisht nuk u prekën. Ngjarja mori emrin "Masakra e Bradasheshit".
Endrit Alibej ishte vëllai i Erion Alibej dhe të dy konsideroheshin si personazhe me ndikim në fushën e trafikimit të drogës, kryesisht kokainës, në Shqipëri, Itali e Holandë. Pikërisht, tregu i kokainës është sipas SPAK arsyeja e porositjes së kësaj vrasje nga vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.
Ora News raporton se vetëm një ditë pas kryerjes së krimit të trefishtë, organizatori dhe financuesi i masakrës së Bradasheshit, Franc Çopja ka shkuar në banesën e familjes së të ndjerit Enea Alibej, për të pirë kafen e ngushëllimit.
Madje, pasi ka pirë kafen ai ka hedhur dhe 50 euro. Të paktën kështu del në komunikimet e zhvilluara në “SKY” nga vetë protagonisti i kësaj ngjarje, Franc Çopja.
Nga bisedat që janë zhvilluar në aplikacionin e komunikimeve sekrete "Sky ECC", të cilat tashmë janë në dorën e SPAK, Franc Çopja rezulton nga hetimet, se ka shkuar në familjen Alibej për ngushëllim për të humbur gjurmët. Ai e tregon këtë me tallje gjatë bisedave me anëtarët e organizatës.
Pas vrasjes së trefishtë, kjo grupi kriminal i drejtuar nga vëllezërit Çopja ka vrarë Klevin Baho dhe plagosur vëllanë e tij, Aldo Baho. Gjashtë muaj më vonë e njëjta organizatë, ka vrarë në 13 dhjetor 2019 Andi Zylyfin dhe plagosur shokun e tij Ardit Uruçin. Një muaj më pas e njëjta organizatë tenton të vrasë Kei Pikun.
Nëntë muaj më pas vritet Klevis Kapllani dhe në 27 nëntor 2020 vritet në Belgjikë Arjan Spahiu. Gjithashtu, dy ditë pas kësaj ngjarje, kjo organizatë tenton të vrasë Irfan Azizin, një punonjës servisi që kishte çmontuar Benzin e përdorur nga grupi i Talo Çelës në vrasjen e masakrës së Bradasheshit.
