Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reguar lidhur me protestën e opozitës e cila pritet të mbahet në kryeqytet rreth orës 18:00 të kësaj të hëne.
Përmes një reagimi zyrtar ambasada e SHBA-së u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të mintorojnë mediat, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të shmangin demostratën.
“Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin këtë ngjarje; Monitoroni mediat; Jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj; Mbani një profil të ulët”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës.
Në orën 18:00 demokratët do të mblidhen për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Opozita ka bërë thirrje për pjesëmarrje nga e gjithë Shqipëria ndërsa drejtuesit politik të qarqeve gjatë javës kanë zbritur në terren duke mobilizuar demokratët për pjesëmarrje masive në portestën e kësaj të hëne në kryeqytet.
Ashtu si dhe kemi bërë me dije më herët protesta e sotme nuk do të ketë fjalime politike, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë thirrje për mosbindje civile. Masat për ruajtjen e rendit janë marrë edhe nga Policia. 1000 forca policore priten të angazohen për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë protestës së opozitës.
Si në çdo protestë tjetër edhe kësaj here është bllokuar dera hyrëse në Kryeministri si dhe janë lyer me graso shtyllat ku janë të vendosura kamerat.
Gjithashtu do të jenë të paktën 15 akse kryqëzimesh të bllokuara në të gjithë kryeqytetin. Në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi "Nënë Tereza" dhe në rrugët: "Ukraina e Lirë", "Papa Gjon Pali II" dhe "Ismail Qemali".
Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe disa akse rrugore që lidhen me bulevardin kryesor.
Kryqëzimet e bllokuara do të jenë: Kryqëzimi i Librit Universitar, kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla "Sabaudin Gabrani", kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi te ish-stacioni i trenit, kryqëzimi i urës së Taiëanit, kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”, kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”, kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave, kryqëzimi i pallatit me shigjeta.
Protesta e opozitës vjen pasi deputeti Ervin Salianji u dënua me një vit burg lidhur me dosjen “Babale”. Si shenjë protestë, opozita nisi aksionin që në Kuvend ku shktaktuan dhunë dhe kaos.
Njoftimi i Ambasadës:
Ambasada e SHBA në Tiranë, Shqipëri
Mesazh për Qytetarët Amerikanë
Vendndodhja: Në të gjithë Tiranën; Bulevardi Deshmoret e Kombit ndërmjet Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza
Data/Ora: E Hënë 07 Tetor 2024, ora 18:00
Ngjarja: Të hënën më 7 tetor është planifikuar të zhvillohet një demonstratë. Protestuesit planifikojnë të mblidhen te Kryeministria në orën 18:00. Pritet prania e shtuar e policisë, mbyllja e rrugëve dhe ndërprerja e qarkullimit. Policia e Shtetit Shqiptar ka lajmëruar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës. Personeli i ambasadës amerikane është këshilluar të shmangë demonstratën. Monitoroni mediat dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit.
Veprimet për të ndërmarrë:
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin këtë ngjarje
Monitoroni mediat
Jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj
Mbani një profil të ulët