I ftuar në A2CNN, Politologu Afrim Krasniqi e sheh protestën si një akt emancipues, një shenjë që shoqëria shqiptare po mëson të reagojë në mënyrë qytetare, duke i dhënë mesazhe të qarta pushtetit dhe duke krijuar precedent historik. Ai e sheh këtë si pasurinë më të madhe të vendit, pavarësisht nëse protestat sjellin ndryshim të menjëhershëm apo jo.
Krasniqi sjell në kujtesë vërejtjen e ekspertit gjerman, i cili u shpreh se shqiptarët shpesh e konceptojnë protestën si akt dhune, jo si shprehje qytetare. Kjo e bën të veçantë daljen e një elite të informuar që proteston pa frikë, duke treguar kurajë dhe duke e vendosur interesin publik mbi komoditetin personal.
Protestat, sipas tij, i tregojnë elitës politike se pushteti nuk është i përjetshëm. Ata që kontrollojnë vendin me rrjete klienteliste dhe patronazhistë nuk janë të paprekshëm. Përballja me drejtësinë (SPAK) dhe me gjykimin publik është e pashmangshme.
“Mbaj mend para ca kohësh kemi thirrur një ekspert të njohur gjerman që do bënte një analizë të pranverës arabe dhe ai mbajti një fjalim mbi vlerën e pranverës arabe dhe pse Shqipëria nuk reagon duke dhënë këshilla. Kur mbaroi fjalimin tha: tani më lejohet të them diçka jashtë funksionit zyrtar. Mos reagoni, tha, sepse ju jeni të dhunshëm. Ju nuk e konceptoni protestën si akt qytetar. Duhet të digjet diçka, duhet të rrëzohet diçka, duhet të vritet dikush, duhet të bëhet diçka, sepse s’keni mentalitet demokratik të protestës në historinë tuaj shtetërore. Dhe kjo lloj proteste që kemi parë në vitet ’90 e tani do të thotë që po del elita e informuar, qytetarë të kulturuar, po del qendra e Tiranës që po proteston në mënyrë publike pa u fshehur dhe pa frikë, pavarësisht nëse është shumicë apo pakicë, apo nëse shumica që rrinë në shtëpi janë pro apo jo. Do të thotë ka një kurajë dhe sakrifikon për vendin dhe kjo është meritë e jashtëzakonshme dhe pasuria më e madhe. Edhe sikur të mbyllet sonte, ta deklarojnë shërbimin e tyre, ja kanë bërë Shqipërisë.
E para, i kanë treguar që këta zotërinj që kontrollojnë këtë vend me miq e me shokë e me banda nuk janë të përjetshëm dhe nuk janë të paprekshëm dhe të gjithë do përballen edhe me Zotin por edhe me SPAK-un para se të shkojnë te Zoti.
E dyta, historinë nuk do ta shkruajnë ata. Kushdo që të shkruajë historinë e këtij vendi, është i detyruar të thotë çfarë ka bërë mirë personi dhe çfarë ka bërë në fund. Dhe zoti Rama arriti mallkimin që ai thoshte, unë nuk do ja uroj kurrë vetes që një ditë të largohem me protesta masive ku njerëzit t’ju vijnë në majë të hundës. Dhe pak a shumë një moment ai nuk e kupton këtë gjë, siç ndodhi me palën tjetër.
E treta, do të thotë që kushdo që të vijë në këtë vend, sado i fuqishëm, sado i mbrapshtë të jetë, sado i korruptuar të jetë, do marrë mesazhe që një ditë do ngrihen kundër teje dhe ti do jetosh këtu dhe një ditë do përthrohesh për shkak të paaftësisë tënde. Nëse je i mirë, nëse bën punë të mira, nëse bën reforma, nëse mban premtimet, bravo i qoftë. Ky është njeriu që duan edhe këta në shesh dhe bien të gjithë dakord”, u shpreh Afrim Krasniqi.
Krasniqi kritikoi mungesën e figurave të besueshme në politikë. Deputetë anonimë, ministra pa reputacion, dhe patronazhistë që zëvendësojnë intelektin e vërtetë. Kjo ka sjellë një krizë legjitimiteti ku vetëm kryeministri është i referueshëm ndërkombëtarisht, por shpesh në mënyrë negative.
Ai u ndal edhe te raporti me mediat e huaja ku tha se nuk gjejnë zyrtarë shqiptarë të besueshëm për t’u konsultuar. Kjo tregon dobësinë e institucioneve dhe mungesën e figurave me autoritet moral e profesional. Sulmi ndaj CNN-it nga kryeministri ilustron këtë kompleks inferioriteti dhe dëshirë për t’u dukur lider global.
“Këtij vendi, them të drejtën, nëse merr historinë, hierarkinë e njerëzve që na kanë qeverisur, a bëhen apo s’bëhen pesë gishta dore, pesë gishtat e dorës të njerëzve që ky vend duhet të jetë krenar në historinë e vet. Këto mitet që ky është lideri i kësaj se mban vulën e partisë, ky është lideri i kësaj se vjedh vota dhe kontrollon partinë e patronazhistëve. Është thyerja më e madhe për këtë vend ta mbyllësh fjalimin jo me “Rroftë Shqipëria”, por me “Rrofshin patronazhistët”.
Është fyerja më e madhe që mund t’i bësh intelektit të këtij vendi. Dhe i thotë kryetari i komisionit të shkencës në Shqipëri se është kryetar i komisionit të shkencës në Shqipëri, të marrësh deputet anonim që nuk i njeh askush dhe t’i vendosësh në detyrë, dhe janë zhdukur nga ekrani, nuk i gjejmë, nuk flasin, nuk i merr njeri seriozisht.
Ne kemi pasur këto ditë komunikim në mediat ndërkombëtare dhe ata na sugjeronin: Na thuaj një zyrtar shqiptar që mund ta marrim në telefon. Dhe ne i thonim, ministër është filani. Jo, ai është kot, nuk e llogarisim, thoshte. Nuk është burim, nuk është i referueshëm. Dhe kërkonim pastaj kë gjejmë dikë afër kryeministrit që mund të jetë një burim informativ. Dhe thoje ti, filani që ka marrë Sarandën, filani që ka marrë Vlorën, filani që ka marrë Durrësin, apo shkoje e gjeje në Katar apo gjeje në Dubai.
Po të shikosh, asnjë zyrtar i lartë nuk është referuar. I vetmi është kryeministri, i cili edhe sot doli e sulmoi CNN-in, sepse ai mendon që është lider botëror siç është presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe kjo i jep të drejtën për të akuzuar. Nganjëherë i bën mirë sepse i tregon edhe medias ndërkombëtare që gjitha ato peticione, nënshkrime, thirrje që janë bërë në Shqipëri, që media po themi është denigruar, fyer etj., nuk janë marrë seriozisht. Kur i ndodh medias ndërkombëtare, e kuptojnë këtë gjë.”, vijoi Krasniqi.
