Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me gazetaren e CNN, Eleni Giokos në Forumin Botëror Future Investment Initiative (FII), reagoi ndaj pyetjeve për projektin në Zvërnec dhe protestat në Tiranë.
Rama akuzoi CNN për mungesë objektiviteti dhe tha se shumica e shqiptarëve mbështesin projektin. Ai theksoi se toka është private, se po kryhet vlerësimi i ndikimit në mjedis, por ende nuk ka leje ndërtimi. Kryeministri shtoi se projekti do të sjellë 25% më shumë sipërfaqe të gjelbër dhe pastrim të ujërave të lagunës.
Gazetarja e CNN përmendi paralajmërimet e Komisionit Europian për respektimin e rregullave mjedisore. Rama u përgjigj se komuniteti lokal e dëshiron projektin dhe se zemërimi i protestuesve do të zbehet. Ai madje ftoi CNN-in në inaugurim, duke thënë se kjo do të ishte një mundësi për “rehabilitim” ndaj Shqipërisë.
Gazetarja e CNN Eleni Giokos: Zoti Kryeministër, shumë shkurt, Komisioni i BE-së thotë se duhet të respektoni rregullat mjedisore dhe po jep paralajmërime. Keni edhe çështjen e protestave. Si do ta ndryshoni mesazhin që ai të rezonojë me protestuesit dhe të siguroheni që Komisioni Europian të jetë në anën tuaj?
Rama: Kam një lajm për ju. Shumica e popullit shqiptar e do projektin. Qyteti ku do të zhvillohet projekti është, në një shumicë shumë të madhe, në pritje të tij dhe nuk ka protesta. Komuniteti ku projekti do të zhvillohet e dëshiron projektin. Pra, ajo që shihni ju nuk është saktësisht ajo që po ndodh. Zemërimi ekziston, e kuptoj, por kur të zbehet dhe kur t’i dërgoj një ftesë shumë të veçantë CNN-it për të ardhur në inaugurim, të gjithë do të jenë të lumtur. Dhe jam i sigurt se do të jetë një mundësi e shkëlqyer për CNN-in që të rehabilitohet.”
Rama paralajmëroi se protestat janë nxitur nga dezinformimi online, videot e rreme dhe rrjetet e bot-eve. Ai akuzoi Republikën Islamike të Iranit për sulme kibernetike të vazhdueshme ndaj Shqipërisë, duke i cilësuar si një kërcënim serioz për demokracitë europiane. Sipas tij, “liria e shtrirjes së informacionit” nuk është e njëjtë me lirinë e shprehjes, por një mjet propagande që po gërryen demokracitë nga brenda.

