Emri i ish-efektivit Altin Morina, është rikthyer sërish në qendër të opinionit publik, një vit pasi iu vunë prangat pasi u kap në makinë me sasi të mëdha parash. Ditën e sotme ndaj Altin Morinës është lëshuar një urdhër arresti, në kërkim në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’.
Kush është Altin Morina?
Altin Morina e nisi karierën në polici në vitin 2006 në Komisariatin nr 3 në sektorin e krimeve. Në 2010 ka kaluar te Kontrolli i Brendshëm dhe më pas tek RENEA. Në vitin 2015, ka qenë edhe tek FNSH. Po në 2015-ën punonte si bodigard në një lokal nate. Në atë kohë është përjashtuar nga policia, pasi u përfshi në një konflikt. Me vendim gjykate, ai u rikthye në polici. Ka punuar edhe në drejtorinë e Antiterrorit në 2019, ndërsa në 2021 ka qenë shef komisariati në Mallakastër. Së fundmi, në 2022 kaloi si shef stërvitje në RENEA.
Çfarë ndodhi në mars të 2023?
44-vjeçari u arrestua teksa lëvizte me një mjet luksoz fuoristradë tip “Audi” në muajin mars të 2023, brenda së cilës u gjetën plot 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Paratë u gjetën në një qese plasmasi në vendin e parë të makinës, ndërsa burimi i tyre nuk dihet ende. Shefi i RENEA u vu në pranga gjatë një aksioni policor në zonë e “Kodrës së Diellit” në Tiranë.
Altin Morina dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës për llogari të grupeve kriminale. Vetëm 2 orë para se të vihej në pranga, shefi RENEAS dyshohet se ishte në Elbasan, ku ka dorëzuar shuma parash tek persona te skeduar.
Lidhja e Altin Morinës me botën e krimit dhe Ervis Martinajn
Altin Morina dyshohet si i përfshirë në trafikun e drogës me grupet kriminale në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan që merreshin me aktivitetin e heroinës dhe kokainës.
Shefi RENEAS dyshohet se ka lidhje edhe me Kreshnik Halilajn që u arrestua në korrik të vitit 2021 për arsenal armësh dhe droge. Në këtë rast efektivi dyshohet se ka fshehur prova duke thënë se kokaina e gjetur në shtëpinë e Halilajt nuk ishte kokainë, por miell buke.
Po ashtu, ka dyshime të forta se ka lidhje edhe me grupin e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt. Para 8 ditësh është parë në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.
Altin Morina fiton lirinë një muaj më vonë
Ai fitoi lirinë më 16 prill të 2023 dhe qëndoi pas hekurave vetëm një muaj, pavarësisht se u kap me një shumë të konsiderueshme parash në makinë.
Në atë kohë Altin Morina mohoi të jetë pjesë e ndonjë grupi kriminal dhe tha se paratë që u gjetën në makinë, i ka të gjitha të justifikuara. Avokti i Morinës po ashtu paraqiti mandatin bankar të tërheqjes së eurove.
Prokuroria e Tiranës e hetoi për vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Vendimi për lirimin e Morinës u mor nga Gjykata e Tiranë, e cila pranoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë nga "Arrest në Burg" në "Detyrim për tu paraqitur në prokurori".
“Paratë janë të justifikuara dhe vijnë nga biznesi. Janë tërhequr në bankë dhe i kam marrë për hallet e mia. Nuk kam kryer asgjë të jashtëligjshme dhe nuk jam pjesë e asnjë grupi kriminal.
Prokuroria nuk ka asnjë provë, paratë i kam marrë nga një biznesmen 30 minuta para arrestimit. Nuk vijnë nga produkt kriminal, jam gati të bashkëpunojë me organin e akuzës për ti dhënë prova që lekët i mora për arsye personale dhe familjare. Nuk ka patur person tjetër në shoqërinë time në momentin e arrestimit...” deklaroi në atë kohë Morina.
Sipas Altin Morinës, paratë sapo i kishte marrë nga një mik i tij biznesmen në zonën e Kodrës së Diellit. Policia ka thirrur për verifikim dhe biznesmenin që është përmendur nga efektivi i Forcave Speciale, por emri i tij dhe qëndrimi që ka mbajtur nuk dihen ende.



