Të tjera detaje kanë dal në pah lidhur me operacionin e SPAK, lidhur me dosjen ‘Metamorfoza 3’.
Sipas gazetares Klodiana Lala, ndaj Viktor Ymerit dhe Santilno Basho janë shtuar akuzat për atentate. Aktualisht Viktor Ymeri ndodhet në burg për akuza të tjera. Gjithashtu janë shtuar akuzat edhe ndaj Fatmir Hysenit.
Ditën e sotme Prokuroria e Posaçme ka lëshuar rreth 50 urdhër-arreste për eksponentë të njohur të botës së krimit dhe ish-politikanë, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionet sekrete "Sky" dhe EncroChat".
Emrat që kanë dalë deri tani, jo zyrtarisht, tregojnë se bëhet fjalë për njerëz të katapultuar shumë lartë në hierarkinë e krimit, ku përfshihen krerë bandash, trafikantë droge, porositësh vrasjes, ekzekutorë dhe njerëz të kapur mes lidhjeve në biznes e politikë.
Kush është Viktor Ymeri?
Viktor Ymeri i cili ndodhet në burg, është daja i Edison Harizaj, një personazhi mjaft të njohur për sa i përket botës së krimit të Vlorë dhe jo vetëm.
Edisoni, u qëllua për vdekje në Durrës me 52 plumba teksa po kthehej në Vlorë së bashku me një nga shokët e tij Genci Caci, i cili mbeti i vrarë në këtë atentat mafioz.
Vrasja e Edison Harizaj, është kryer vetëm 7 ditë pasi Viktor Ymeri kishte rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm për ezkekutimin e Arben Pajës e Ilir Xhungës, duke marë një dënim me 25 vite burg.
Në të njëjtën kohë Viktor Ymeri konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, (Gaxhait) i dënuar me burgim përjetë, pasi së bashku në qershor të vitit 1999, kanë ekzekutuar me dhjetra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.
Fillimisht Paja dhe Xhunga të cilët po udhëtonin me një furgon tip “Citroen” në afërsi të Drejtorisë së Policisë Durrës, janë qëlluar me një predhë kundërtanku, e cila edhe pse ka prekur parakolpin e furgonit, fatmirësisht nuk ka plasur.
Pas kësaj, mbi Pajën dhe Xhungën janë derdhur breshëri automatiku kallashnikovi, të cilat vinin nga katër krahë, duke i lënë të vdekur në vend.
Për këtë ngjarje policia e Durrësit në atë kohë arrestoi brenda shtëpisë së një doktori në Durrës, Gazmend Brakën dhe Viktor Ymerin.
Kush është Santilno Basho?
Santilno Basho u arrestua në shtator të vitit të shkuar, në saj të operacionit që po zhvillohet nga forcat RENEA në qytetin e Vlorës.
Ai është vëllai i Tesi Bashos, i njohur ndryshe si i “forti i Selenicës”, i dënuar me burgim të përjetshëm në Itali për vrasje, si dhe me precedentë të theksuar kriminal në Shqipëri.
Ndërsa Santilno Basho ka qenë i dënuar në 2019 për “shtrëngim me dhunë për dhënie pasurie”.
Kush është Fatmir Hyseni?
Kunati i "Didit" të Vlorës dhe hasmi i Viktor Ymerit, ky është portretizimi i i vrasësit me pagesë Fatmir Hyseni nga Vlora. Baza e tij në qytetin bregdetar është kontrolluar nga Forcat Speciale, por "Doqja" nuk është gjetur. Ai akuzohet se është vrasësi i ish-policit Santiago Malko, një nga njerëzit më te besuar të Ervis Martinaj.
Fatmir Hyseni dyshohet nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës se ka qëlluar me kallashnikov drejt Malkos, i kontraktuar nga vëllezërit Erlis dhe Leonard Duka, duke u mbështetur më pas nga anëtarët e tjerë të skuadrës Oltion Loga, Dritan Agaj, Ervis Metani, Ilir Selmani dhe Bledar Teta.
Nga informacionet operative që Policia e Tiranës ka mbledhur lidhur me vrasjen e Santiago Malkos ku rezulton se klani “Duka”, ose siç njihet ndryshe në kryeqytet si “banda e Romëve”, ka kontraktuar Fatmir Hysenin nga Vlora pjesë e “grupit të Çamëve” për të eleminuar Santiago Malkon, shok i biznesmenit të lojërave të fatit Ervis Martinaj.
Fatmir Hyseni njihet me nofkën “Doqe” dhe ka një të kaluar kriminale dhe është dyshuar si një nga bashkëpunëtorët e vrasjes së vëllait të Viktor Ymerit në Vlorë, ose siç njihet ndryshe në këtë qytet si “Tori i Xhihanes”. Fatmir Hyseni është çam dhe kunati i Dritan Veselit ose siç njihej ndryshe në qytetin bregdetar si “Didi i Vlorës” ose “Didi Çami”, i vrarë në 14 shtator 2004 në qytetin bregdetar.
Hyseni dhe “Didi” cilësohen nga policia dhe prokuroria si kundërshtarët më të mëdhenj të Viktor Ymerit dhe Edison Harizajt, ky i fundit i vrarë, ndërsa Viktori vijon të jetë ne qeli.