Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Ranë në "çark" nga operacioni i SPAK, zbardhen emrat e 3 policëve që u shpallën në kërkim

Shkruar nga Newsbomb

Ranë në "çark" nga operacioni i SPAK,  zbardhen emrat

Ish-drejtuesi i Policisë Lezhë, Henrigert Mitri dhe ish-efektivi Altin Morina janë shpallur në kërkim në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’. Po ashtu në kërkim është shpallur edhe ish-shefi i Krimeve në Delvinë Klodian Shahini.

Henrigert Mitri aktualisht është specialist pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, teksa më herët e ka mbajtur postin e drejtuesit të Policisë Vendore në Lezhë për 10 muaj në vitin 2019. Ndërsa Altin Morina është ish efektivi i RENEA-s, i cili ra në pranga pak kohë më parë, por fitoi lirinë. 

Ky i fundit është një emër i njohur për opinionin publik, pasi u arrestua në muajin mars të vitit të shkuar në kushtet e flagrancës në zonën e "Kodrës së Diellit", dhe në makinë kishte shuma të mëdha parash në valuta të ndryshme. Gjatë kontrollit rezultoi se në sediljen e pasagjerit, ndodhej një qese plastmasi brenda të cilës kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund.

Ranë në "çark" nga operacioni i SPAK,  zbardhen emrat
Altin Morina

Altin Morina dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës për llogari të grupeve kriminale. Vetëm 2 orë para se të vihej në pranga, shefi RENEAS dyshohet se ishte në Elbasan, ku ka dorëzuar shuma parash tek persona te skeduar.

Ai dyshohet se ka lidhje edhe me Kreshnik Halilajn që u arrestua në korrik të vitit 2021 për arsenal armësh dhe droge. Në këtë rast efektivi dyshohet se ka fshehur prova duke thënë se kokaina e gjetur në shtëpinë e Halilajt nuk ishte kokainë, por miell buke.

Po ashtu, ka dyshime të forta se ka lidhje edhe me grupin e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt. Ai është parë në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.

Kujtojmë se ditën e sotme Prokuroria e Posaçme ka lëshuar rreth 50 urdhër-arreste për eksponentë të njohur të botës së krimit dhe ish-politikanë, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionet sekrete "Sky" dhe EncroChat". Ndëra Forcat Speciale po ushtrojnë kontrolle në disa qytete.

Emrat që kanë dalë deri tani, jo zyrtarisht, tregojnë se bëhet fjalë për njerëz të katapultuar shumë lartë në hierarkinë e krimit, ku përfshihen krerë bandash, trafikantë droge, porositësh vrasjes, ekzekutorë dhe njerëz të kapur mes lidhjeve në biznes e politikë.

Pak minuta më parë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili tha se lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate.

Balla nënvizoi faktin se përmes kësaj veprimtarie po rriten parametrat e sigurisë në komunitet si edhe po krijohet një trupë policore e denjë dhe me integritet.

“Lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj,” shkruan Balla.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese