Bisedat e zhvilluara përmes aplikacionit që përdorej nga njerëz të njohur të botës së krimit SKY ECC, kanë zbuluar se si grupet kriminale të godiutura nga SPAK më 16 qershor, përgatitesh për të investuar paratë e fituara përmes shitjes së kokainës, fillimisht në pika marketesh e më pas sektorin e ndërtimit.
Konkretisht bëhet fjalë për dosjen e vëllezërve Aliu, grupi kriminal në krye të të cilës qëndronte Shpëtim alias Salvatore Aliu por që shumicën e kohës menaxhohej nga i vëllai Isa Aliu.
Referuar mesazheve të shkëmbyera mes vëllezërve Aliu zbulohet se si investime në supermarketet “Road Hause”, po i nxirrte ata me humbje ndryshe nga seç e kishin planifikuar. Kështu Salvatore urdhëron të vëllain Isain që të investojnë më shumë në sektorin e ndërtimit.
“...tani jemi në nivele të rënda...”-i shkruan Shpëtim Aliu, vëllait të tij, Isa Aliu. Ky i fundit mësohet se nuk përzihej fare me punët e trafikut të kokainës, por ishte personi “kyç” për pastrimin e parave në Shqipëri të fituara nga trafiku i drogës, raporton gazetari Elton Qyno.
Po ashtu, del në pah se bashkëpunëtorë të grupit kriminal, i transportonin paratë kreut të tyre Shpëtim Aliut, i cili kishte sugjeruar që me një pjesë të tyre të bliheshin apartamente. Ndërsa një pjesë e tyre të fshihej në hapësirat e ndërtesave që ata do të blinin.
Të dhënat e përftuara nga komunikimit telefonike, mësojnë se i hetuari Isa Aliu është personi i cili administron dhe pastron paratë e drogës për llogari të Salvatores.
Sipas gazetarit Qyno mësohet se i hetuari Isa Aliu, e njofton vëllain e tij, Salvatoren, për sasitë e parave të dorëzuara nga persona të ndryshëm dhe mban të shënuara llogaritë e tyre.
Mësohet se vetëm për periudhën Gusht-Nëntor 2020, i hetuari Isa Aliu dokumentohet se ka marrë minimalisht në Shqipëri përafërsisht mbi 30 milion euro “cash”, para të fituara nga trafiku i kokainës i vllait të tij, të hetuarit Salvatore Aliu.
Në datën 30 Gusht 2020, Isa Aliu informon të hetuarin Salvatore se ka gjendje 6 milion euro “cash”. Në datën 15 shtator 2020 e informon se ka 9 milion e 800 mijë euro.
Në 13 shtator 2020, Salvatore Aliu, i konfirmon vëllait, Isait, se në vijm do të marrë edhe 20 milionë të tjera. Ndërkohë në datën 16 shtator 2020, Isa Aliu, i dërgon me foto të gjitha shënimet e tij për dorëzimet e lekëve nga lidhjet e Salvatore Aliut.
Hetimet e bëra nxjerrin në pah diskutimet e dy vëllezërve Aliu të cilët të diskutojnë edhe për të lehtësuar disponimin e parave “cash”, kundër të tjera mendojnë të blejnë lingota ari, të cilave nuk u ikën vlera për një kohë të gjatë.
Më tej bëhet me dije se i hetuari Salvatore Aliu e orienton Isa Aliun për mënyra të ndryshme të fshehjes së parave, si psh: duke i groposur në fuçi 50 litrash apo edhe duke blerë apartamente të posaçme, me qëllim për ti fshehur në brendësi të ndarjeve të ambienteve që mund të bëhen nëpër apartamente.
I shqetësuar që të mos pikateshin nga autoritetet shqiptare, Shpëtim Aliu i kërkon Isait që të tregohet iu kujdesshëm në mënyrë që të mos ndodhë ndonjë suprirzë, referuar hetimeve që mund të ushtroheshin nga autoritetet përkatëse.
Sakaq, në mesin e bisedave të zhvilluara më 7 qershor të vitit 2020 mes Salvatore Aliut dhe nipit të tij Oklid Aliu alias El Ouejdi, i njohur si "Kiçi i Elbasanit" dhe një personi të paidentifikuar, flitet për kapjen e një ngarkese me kokainë të ndodhur më 6 qershor në Roterdam të Holandës.
Bashkëbiseduesit mes njëri-tjetrit shprehen se në operacion për goditjen e ngarkesave me kokainë ishte përfshirë dhe “DEA” Amerikane dhe se duhej të mos flisnin me askënd lidhur me këtë çështje.
“...E pe kët? Ok la mos fol me njeri për këtë punë që jam kap se paska hy edhe “DEA”. Kam lidh të dyja punët, keq situata, Amerika, edhe këtu edhe atje. Mos fol me njerëz, duhet me e mohu, s’është e jona...”- ka shkruar Oklid El Ouejdi.
Më tej, komentohet dhe për një tjetër ngarkesë me destinacion Holandën, që thuhet se ishte kryer brenda së njëjtës ditë.
Referuar bisedës së zhvilluar, mësohet se i hetuari Salvatore Aliu, u kërkon disa personave, që nga konteksti rezulton të jenë pjesë e grupit kriminal që ai drejtonte, një ndër të cilët nipi i tij, i hetuari Oklid ElQuejdi, të paguajnë dëmin financiar e shkaktuar nga kapja e lëndës narkotike.
“...lene mos e pyt, po tani çfarë me bë? Me vra veten. Dy pun me ik brenda ditës. Po ça ti bësh, kur s’do s’do. 5.2 duhet të japim”- thuhet mes të tjerash në bisedën e zhvilluar në aplikacionin “Sky”.
