
Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK ka dalë sot përballë dy komisioneve: atë të ligjeve dhe sigurisë publike ku ka raportuar për punën që ka bërë prokuroria.
Në çështjen e kriminalitetit, Dumani, në analizë të punës së vitit 2023 evidenton se grupet kriminale në Shqipëri janë poli-kriminale , pra merren me disa lloje veprash penale, dhe operojnë në Amerikë, BE dhe Britani e madhe. Në Shqipëri, “analiza e tregjeve kriminale, është shqetësuese”, thotë SPAK në raport.
"Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një realitet për tu shqetësuar. Nga hetimet e këtij viti, janë evidentuar grupe me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë. Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave. Trafiku i narkotikëve është një problem i dukshëm në rrethet e Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Kurbinit.
Në disa qytete si, Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë. Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë vënë re më shumë në qytete si, Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Këto vepra penale janë tregues i një tendence në rritje të dhunës dhe kriminalitetit në këto zona. Në zonën e Fushë-Krujës, evidentohen gjithashtu raste të blerjes së armëve dhe lëndëve shpërthyese, por dhe makinave të vjedhura të cilat shërbejnë si mjete për kryerjen e vrasjeve” thuhet në raportin e SPAK.

Sipas raportit, grupet kriminale kanë kryesisht 15-25 persona. Janë grupe polikriminale ku përfshihet trafiku i narkotikëve, vrasjet, rrëmbimet, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit etj. Dhuna, e cila është një veçori në zbehje mbetet një karakteristikë tjetër e grupeve kriminale shqiptare. Kryesisht dhuna përdoret nga grupe me strukturë hierarkike, të cilat bazohen në lidhje gjaku dhe familjare, dhe të cilat janë në konflikt për kontroll territori ose konkurrencë për tregje kriminale.
“Vërehet gjithashtu një bashkëpunim i grupeve kriminale edhe me oficerët e policisë së shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar, si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë luajtur role të ndryshme, duke filluar që nga dekonspirimi i operacioneve policore, njoftimi për personat kundërshtar të vënë në shënjestër nga grupet kriminale, dhënie informacioni për individë të ndryshëm, dhe aktivitetet të tjera në pengimin e drejtësisë” thekson raporti.
Sa i përket personave të tjerë jashtë grupit që përfshihen në këto struktura, janë kryepleqtë dhe femrat.
“Një karakteristikë shqetësuese është dhe përfshirja e personave kyç në jetën komunitare, siç janë edhe Kryetarët e Fshatrave (kryepleqtë), të cilat janë përfshirë qoftë drejtpërdrejt në aktivitete kriminale ose në mënyrë indirekte duke shpërdoruar detyrën ose duke mos kallëzuar krimin. Shihet një tendencë në rritje e angazhimit të femrave në funksione të rëndësishme për grupet kriminale. Disa nga rolet më tipike të evidentuara në organizatat kriminale, të cilat merren me trafikun e narkotikëve, janë ato në administrimin e të ardhurave dhe mbikëqyrja e transferimit fizik dhe nëpërmjet institucioneve bankare të parave.

Kryesisht femrat të cilat luajnë këto role, janë bashkëjetuese të krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm të organizatës kriminale. Format e sofistikuara të vrasjeve, duke shmangur lënien e gjurmëve janë një tjetër karakteristikë e grupeve kriminale. Tashmë janë evidentuar grupe kriminale të specializuara në vrasjet me pagesë. Vihet re gjithashtu, përdorimi gjithnjë e më në rritje i formave të koduara të komunikimit duke përdorur aplikacione të ndryshme dhe aparate telefonike të specializuara për të tilla komunikime. Kryerja e pagesave, si dhe konvertimi i parave në kriptovaluta është një tjetër veçori e cila është evidentuar gjatë vitit 2023. Duhet cilësuar se ky fenomen është vënë re më së shumti tek grupet kriminale, të cilat kanë kryer transaksione me anë të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet aktiviteteve tregtare të ashtuquajtura “call center””, theksohet në raportin e SPAK.
Altin Dumani që prej dy orësh eshtë duke raportuar në Komisionin e Ligjeve dhe të Sigurisë Kombëtare për veprimtarinë e institucionit.