Tiranës do t'i shtohet dhe një tjetër kullë. Bëhet fjalë për një projekt që ka marrë dritën jeshile dhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe do të mbijë në një nga zonat më të preferuara të Tiranës, në hyrjen e Liqenit Artificial.
Godina ikonike e Tirana Bank pranë hyrjes së Gardës së Republikës do të shembet dhe aty kompania "X One" do të ndërtojë një qiellgërvishtëse 40 kate.
Ajo do të quhet “Grand Park Skyline” dhe shumë shpejt pritet të nisë puna për ndërtimin e kullës më të lartë në këtë zonë. Parku i Madh i Liqenit të Tiranës po rrethohet vit pas viti nga projekte shumëkatëshe betoni, të cilat nëse vazhdohet me këto ritme, duket se do të gllabërojnë dhe të vetmen hapësirë të gjelbërt që i ka mbetur kryeqytetit.
Kompania "X One" është themeluar në vitin 2021 me kapital 10 milionë lekë të vjetra, nga ortakët Çesk Ivanaj 50% dhe Ylli Ujka 50%. Në shkurt të këtij viti, ortakët themelues Çesk Ivanaj dhe Ylli Ujka shesin 26% të kuotave të kapitalit (individualisht secili shet 13%) në favor të Ilir Trebickës, kundrejt çmimit total 260.000 (dyqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë.
Përbërja e shoqërisë pas transferimit është: Çesk Ivanaj 37%, Ylli Ujka 37% dhe Ilir Trebicka 26%.
Mania për të betonizuar çdo skaj të Tiranës nuk ka kursyer këtë herë as zonën pranë Liqenit te Tiranës, në hyrje ku ndodhet dhe godina ikonike e bankës së nivelit të dytë që mban emrin e kryeqytetit, Tirana Bank. Për më tepër, janë vetë indtitucionet ato që me lejet e tyre po lejojnë shkatërrimin.
Kush janë tre biznesmenët e "X One"
Ylli Ujka është një sipërmarrës i suksesshëm në Itali, me origjinë nga qyteti i Lezhës. Gjithashtu, ai ëhstë një nga anëtarët e fisit Prelivanaj të vendosur prej shekujsh në Malin e Rencit mbi Ranën e Hedhun në Shëngjin, ku Ylli Ujka ka njoftuar një vit më parë se do të ndërtojë një resort me vlerë 300 milionë euro.
Ai është rikthyer kohët e fundit në Shqipëri dhe aktualisht është edhe president i ekipit të "Beslidhjes" në Lezhë. Dy javë më parë, Ylli Ujka u telefonua nga një grup mashtruesish që pretendonin se ishin Pjerin Ndreu dhe i morën 15 mijë euro. Rasti përfundoi në polici.
Përsa i përket Ilir Trebickës, ai ëhstë një ndër ndërtuesit e hershëm të njohur në Tiranë, që tashmë e ka shtrirë veprimtarinë e tij edhe në jug të vendit. Ai është mik i kryeministrit Edi Rama qëkur të dy luanin basketboll dhe në Shkodër njihet dhe si ndërtuesi i stadiumit "Loro Boriçi".
Ilir Trebicka ka marrë pesë vite më parë statusin e investitorit strategjik dhe një leje për një fshat turistik në zonën e Dhërmit. Kompleksti turistik “Thymus” që ai do të ndërtojë përmban 2 hotele dhe një fshat turistik me 38 vila dy-tre katëshe, të cilat janë në fazë karabinaje aktualisht.
Për aksionerin tjetër të "X One", Çesk Ivanaj informacionet janë të pakta. Megjithatë, newsbomb.al mëson se ai është lidhje e aftër me biznesmenin Ylli Ujka dhe të dy janë aksioner në kompaninë e prodhimit dhe tregtimit të letrës "Sole Mio".
Po ashtu, redaksia mëson se Çesk Ivanaj është edhe president i një kompanie që ofron shërbime marketingu online në Itali dhe në botë, ku ortak ëhstë edhe sipërmarrësi lezhjan Ylli Ujka. Edhe vetë Ivanaj është me origjinë nga Lezha dhe jetesën e ndan mes Italisë dhe Shqipërisë.
© Newsbomb.al
