Stephan Morgenstern, një shtetas gjerman i kërkuar për mashtrim financiar dhe i arrestuar në aeroportin e Rinasit në gusht të vitit 2023, i kërkon Gjykatës së Lartë që të rrëzojë masën e sigurisë "Arrest me burg" vendosur ndaj tij.
Siç shihet në këtë shpallje të Gjykatës së Lartë, shtetasi gjerman kërkon që të dalë nga qelia ku mbahet prej më shumë se një viti. Seanca për shqyrtimin e rekursit, sipas kalendarit, ka nisur mesditën e kësaj të marte, datë 1 Tetor dhe pritet çfarë vendimi do të merret.
Ai akuzohet akuzohet se ka krijuar një skemë piramidale në nivel ndërkombëtar, nëpërmjet së cilës së bashku me individë të tjerë kanë përfituar rreth 28 milionë euro. Prokurorë nga pesë vende të ndryshme kanë punuar për kapjen dhe bllokimin e aseteve të shtetasit gjerman në Dubai.
Stephan Morgenstern u arrestua teksa priste bashkëshorten që të mbërrinte nga Dubai. Për këtë të fundit, në Tiranë ka nisur një hetim dhe janë sekuestruar disa pasuri të paluajtshme, nën dyshimet se janë të përfituara nga aktiviteti kriminal.
“Nga hetimi i mbështetur edhe në praktikat e ekstradimit të mbajtura për shtetasin Stephan Morgenstern, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka kryer vepra penale nëpërmjet mashtrimit dhe pastrimit të produketeve të veprës penale në disa shtete që kërkojnë edhe ekstradimin e tij, si Korea e Jugut dhe Polonia. Ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka përfituar shuma të mëdha parash nëpërmjet skemave të mashtrimit”, thuhet në njoftim.
Paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme Morgenstern dhe bashkëshortja e tij, dyshohet se i kanë investuar në blerjen e pronave, në vende të ndryshme nga ku dyshohet se është konsumuar vepra penale e mashtrimit.
“Investimet nga ana e të dy bashkëshortëve, nuk janë bërë vetëm në Dubai, por ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur edhe në provat e administruara gjatë hetimit, se të gjithë pasuritë që shtetasja A.M. ka blerë në Shqipëri, janë blerë me paratë e bashkëshortit të saj, të fituara si pasojë e mashtrimit, në disa vende të botës,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
© Newsbomb.al
