
Aida Hajnaj ka raportuar në Komisionin e Ligjeve punën e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Drejtoresha e kësaj strukture në SPAK, ndër të tjera, evidentoi nevojën e shtimit të burimeve njerëzore.
Sipas rekomandimeve të Komisionit Europian, në këtë strukturë do të ngrihen dhe dy seksione të reja duke bërë të lindë nevoja për hetues të rinj. Aktualisht në BKH janë vetëm 60 hetues dhe 20 prej tyre janë caktuar në zyrën e përgjimit procedurial në Prokurorinë e Posaçme. Në fjalën e saj në Komisionin e Ligjeve, drejtoresha Hajno tha:
“Aktualisht hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë 60 si numër në organikë. Siç u tha dhe këtu, 1/3 e tyre janë caktuar në zyrën e përgjimit procedurial në Prokurorinë e Posaçme. Dhe i bie që pjesa tjetër të jetë në hetim me procedimet penale të Prokurorisë së Posaçme. Por, përveç hetimeve dhe veprimeve proceduriale, hetuesit me statusin e oficerit të policisë gjyqësore që kanë, kanë edhe një detyrë tjetër, veprimet me iniciativë.
Dhe gjatë kësaj periudhe, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur me iniciativë disa çështje për të cilat kanë kryer verifikimet e para. Kur kanë gjetur elementë të veprave penale, i kanë deleguar në Prokurorinë e Posaçme. Kjo ka bërë që numri i tyre mos të jetë i mjaftueshëm. Përveç kësaj, ligji ka sanksionuar që hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë dhe detyrën e oficerit përgjegjës për të kontrolluar sa i përket integritetit dhe pasurisë së hetuesve, drejtorit, të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo ka bërë që ne akoma mos ta vëmë në zbatim këtë gjë, e para për numrin e pakët dhe e dyta për faktin se në Komisionin e Ligjeve janë kërkuar disa ndryshime sa i përket kësaj dispozite.
Ligji për përgjimet elektronike ka sanksionuar që në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të ngrihet dhe seksioni i Hetimit Parandalues që është bërë efektive si strukturë në 2024, por që kërkon hetues të rinj. Gjithashtu në urdhërrëfyesin që është miratuar me VKM, nisur nga rekomandimet që ka dhënë Komisioni Europian, është përcaktuar që në BKH duhet të ngrihet Njësia e Shkëmbimit të Informacionit, e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe Sektori i Analizës së Informacionit Kriminal.
Pra janë dy struktura që kërkojnë edhe këto burime njerëzore të reja. Dhe nisur nga gjithë këto nevoja që kemi, bashkë me drejtuesin e SPAK, kemi rënë dakord dhe po bëjmë një material për të kërkuar shtimin e numrit të hetuesve sipas nevojave që ne mendojmë, për të kryer sa më mirë detyrën që është ngarkuar”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani mbështeti fjalën e Hajnos duke vënë theksin në nevojën që ka SPAK për hetues të rinj. Ngarkesa e madhe me dosje voluminoze dhe çelja e seksioneve të reja, me sa duket kërkojnë më shumë burime njerëzore.
Dhe fillimisht Dumani e nisi me batutë duke thënë se do t’i nevojiteshin dhe 200 hetues, por po punon bashkë me kreun e BKH-së, Hajnajn për të qenë të arsyeshëm në kërkesën e tyre.
“Dëshirë do të kisha nesër të kisha edhe 200 hetues të tjerë. Por, këtë e them patjetër nisur nga ngarkesa. Megjithatë drejtoresha dhe unë po punojmë bashkarisht për të qenë të arsyeshëm dhe të argumentojmë kërkesat tona pse kemi nevojë për rritjen e numrit të hetuesve. Shpresojmë që të arrihet të bëhet e mundur rritja e numrit të hetuesve”, tha Altin Dumani.