Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, këtë të hënë zhvilloi një takim me gazetarët ku ndër të tjera u komunikoi atyre mënyrën se si do të procedohet sa i përket çështjes së “21 Janarit”.
Në një takim pa kamera, Dumani tha se SPAK do të regjistrojë kallëzim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të brendshëm Lulzim Basha, dhe ish-komandantit të gardës Ndrea Prendi, të akuzuar nga familjarët si të përfshirë në vrasjen e 4 protestuesve.
Kreu i organit më të lartë të akuzës u shpreh se Gjykata e Lartë “i ka detyruar” që të regjistrojnë procedim penal.
“Gjykata e Lartë na ka detyruar që të regjistrojmë procedim penal dhe ne do ta regjistrojmë sapo të sillen aktet në Prokurori”, ka thënë ndër të tjera kreu i SPAK.
“Materialet depozitohen dhe patjetër lind nevoja për koordinim me prokurorinë e Tiranës. Me zbardhjen e vendimit për 21 janarin, SPAK është i detyruar të regjistrojë menjëherë kallëzimin ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, ish ministrit të brendshëm Lulzim Basha, dhe ish komandantit të gardës Ndrea Prendi të akuzuar nga trashëgimtarët e katër të vrarëve në demonstratën e 21 janarit.
Së bashku me arsyet se përse SPAK nuk duhet të ishte mjaftuar me një shkresë të 24 shkurtit 2023, ku delegonte çështjen për hetime atje ku ajo nuk kishte pasur rezultat, ky vendim do të thotë se ndaj prokurorisë së posaçme ngarkohet detyra tjetër për ta tërhequr dosjen prej prokurorisë së Tiranës,” u shpreh Dumani për gazetarët.
Por, çfarë vendosi më 5 Korrik, 2024, Gjykata e Lartë për 21 Janarin:
Gjykata e Lartë publikoi ditë më parë vendimin për hetimin e çështjes së “21 janarit” nga SPAK-u. Kallëzimi, bërë nga Rajmonda Nika, kërkon hetimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe Ndrea Prendit si organizatorë të ngjarjeve të “21 janarit”.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, është konstatuar një qëndrim kontradiktor në justifikimin e refuzimit të trajtimit të ankimit nga kallëzuesi kundër vendimit të prokurorit. Edhe pse prokurori kishte bërë një vlerësim paraprak të të dhënave të kallëzimit, nuk ishte shprehur qartë për mosushtrimin e ndjekjes penale.
Gjykata e Lartë vlerësoi gjithashtu vendimin e Gjykatës së Apelit, që refuzoi gjykimin e ankimit të kallëzueses kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Sipas Apelit, vendimi i prokurorit për transferimin e akteve në një prokurori tjetër, në përputhje me nenin 28 të Kodit të Procedurës Penale, është i paankimueshëm. Gjykata thekson se kjo shkresë pasqyron qëndrimin e prokurorit për mungesën e elementeve të veprës penale për subjektet e përmendura në nenin 75/a të KPP.
’"olegji çmon të evidentojë – me këtë rast – se – në konformitet me përcaktimet e nenit 46 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut – Palët Kontraktuese (ku përfshihet edhe Shqipëria) – kanë detyrimin e konformimit ndaj vendimeve përfundimtare të Gjykatës (GJEDNJ), në çdo çështje ku ato janë palë, përmes ekzekutimit të tyre. Një nga efektet e kësaj procedure është se në rastet kur GJEDNJ konstaton shkelje, shteti i paditur ka detyrimin ligjor jo vetëm për të paguar personave përkatës shumat e dhëna si shpërblim i drejtë, në bazë të nenit 41, por edhe për të zgjedhur masat e përgjithshme dhe/ose individuale më të përshtatshme që duhet të ndërmerren për t’i dhënë fund shkeljes së konstatuar nga GJEDNJ.
Në këtë kontekst, Kolegji sjell në vëmendje se përsa i përket masave individuale dhe zbatimin e nenit 46 të Konventës, në paragrafin 178 të vendimit, është shprehur se, “Gjykata vëren se hetimi penal është ende i hapur. Duke pasur parasysh këtë, ajo konsideron se autoritetet duhet të vazhdojnë (për aq sa kjo është e mundur) përpjekjet e tyre që synojnë zbardhjen e rrethanave të vdekjes së A.N. dhe identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, aty ku është e përshtatshme.
” Rrjedhimisht, duke mbajtur parasysh (edhe) konkluzionet e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të datës 14 Nëntor 2023 (çështja Nikaj kundër Shqipërisë), lidhur me zgjidhjen efektive dhe për forcën detyruese dhe ekzekutimin e vendimeve të kësaj Gjykate, edhe për këtë shkak, Kolegji konsideron se vendimet e gjykatave të posaçme (gjyqtarit për hetimet paraprake pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Gjykatës së Posaçme të Apelit) duhet të ndryshohen, duke u urdhëruar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të regjistruar procedimin penal, për kallëzimin e datës 16.02.2023, me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme, duke mbajtur në konsideratë edhe vendimmarrjen e mësipërme të GJEDNJ”.
PËR KËTO ARSYE,
”Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në konformitet me përcaktimet e neneve 291, pika 4 dhe 441, pika 1, shkronja “dh”, të Kodit të Procedurës Penale”
VENDOSI:
Ndryshimin e vendimit nr. 92, datë 21.06.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të vendimit nr. 107, datë 29.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – gjyqtarit për hetimet paraprake pranë asaj gjykate dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes, duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023’’, thuhej në vendim.