Vrasja e ndodhur sot në Baltëz të Fierit, ku efektivi i policisë “Shqiponja” Novruz Cenalia humbi jetën, ka tronditur mbarë opinionin publik. Ende nuk ka një version përfundimtar mbi ngjarjen, ndërsa policia është vënë në kërkim të autorit i identifikuar si shtetasi Azgan Mërnica.
Mediat kanë bërë me dije se i ndjeri Cenalia ka humbur jetën pas një plumbi të marrë në kokë. Autori Mërnica është larguar nga vendngjarja me automjetin e tij duke shkuar te shtëpia e dajës. Aty ka lënë makinën dhe më pas ia ka “mbathur” arave për t’iu fshehur uniformave blu. Ndërkohë këta të fundit, po bëjnë krehjen e gjithë zonës, teksa po bëhen kërkime edhe me dron.
Kujtojmë që Policia e Shtetit ka bërë me dije se dyshohet që ngjarja ka ndodhur për konflikte të çastit. Fillimisht u raportua për gjakmarrje, por më vonë kjo pistë u hodh poshtë nga vetë drejtues të lartë të uniformave blu. Policia ka vënë në dispozicion 30 mijë euro për këdo që jep informacion të vlefshëm rreth lokalizimit të autorit.






