Një 48-vjeçar i identifikuar si Lulzim Visha u gjet i vdekur mëngjesin e kësaj të premte brenda automjetit të një poste private ku dhe ai punonte.
Sipas asaj që policia bëri me dije më herët, rreth orës 07:40, të mëngjesit të kësaj të premte, në zonën e Zall Mner-it, në rrugën “Shën Stefani”, u gjet i pajetë 48-vjeçari i cili ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarri. Visha ka qenë duke shkuar në punë, momentin kur ndodhi ngjarja.
Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se shkak i kësaj ngjarje dyshohet të jetë një hasmëri e vjetër mes viktimës dhe personave të tjerë.
Visha rezulton të ketë pasur probleme të hershme, pasi në vitin 1997 vëllati i tij, Besnik Visha, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Refik Domi për motive të dobëta.
Në 29 qershor 2001 Gjykata e Rrethit Tiranë e ka dënuar Besnik Vishën me 12 vite burg, për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”.
Lidhur me këtë ngjarje policia ka marrë në pyetje familjarët e viktimës, ndërkohë është duke punuar për zbardhjen e plotë të kësaj vrasje si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në automjetin e viktimës janë gjetur 12 gëzhoja pistolete.
"Më datë 24.01.2025, rreth orës 07:40, në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner, është konstatuar pa shenja jete, brenda një automjeti, shtetasi L. V., 48 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar i vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje. Ndërkohë grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve", njoftoi policia më herët.

