Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Altin Dumani: Tirana dhe Vlora pastrojnë para me apartamente, Fieri ka drogën, vrasjet në Fushë Krujë e Shkodër! Bankat i shërbejnë mafias

Shkruar nga Newsbomb
Altin Dumani: Tirana dhe Vlora pastrojnë para me apartamente, Fieri ka
Altin Dumani raporton te Komisioni i Ligjeve

Kryeprokurori Altin Dumani është duke raportuar në Komisionin e Ligjeve, për veprimtarinë e institucionit që drejton, shkruan newsbomb.al. Krah kolegëve Klodian Braho e Adnan Xholi si dhe shefes së BKH-së, Aida Hajnaj, kreu i SPAK bëri një pasqyrë të plotë të grupeve kriminale shqiptare.

Dumani e nisi me grupet kriminale që janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikut të drogës, kryesisht kokainë, duke thënë se ato tashmën dominojnë tregun edhe në vendet e origjinës, pra në Amerikën e Jugut.

"Grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogave të forta, duke pasur e kontrolluar trafikun e ciklit të mbyllur e duke pasur pozicion dominues në vendet e origjinës së trafikut të kokainës. Këto grupe kanë aktivitet dhe në tregje ndërkombëtare, kryesisht Amerika e Jugut, BE, Britania e Madhe dhe rajon.

Disa nga veçoritë e këtyre grupeve janë: anëtarësia prej 15 deri në 20 persona, aktiviteti polikriminal (trafik droge, vrasje dhe prodhim armësh), dhuna për kontroll territori, përfshirja e femrave në pozicione dytësore, vrasjet e sofistikuara me pagesë, komunikimet e koduara dhe konvertimi i parave në kriptovalutë", u shpreh kreu i SPAK, raporton newsbomb.al.

Po ashtu, Altin Dumani theksoi se duhet cilësuar si shqetësim dhe veprimtaria "e grupeve që veprojnë përmes call center, duke mashtruar shtetas të BE, nëpërmjet investimeve në platformat online. Dëmi është miliona euro."

Lloji i tregjeve kriminale sipas SPAK

Kryeprokurori Altin Dumani tha se janë disa qytete dhe zona të vendit të cilat paraqesin problematikë të theksuar për aktivitetin e tyre, nga vrasjet, te trafiku i drogës, korrupsioni ndaj njerëzve të drejtësisë dhe pastrimi i parave.

Lidhur me llojin e tregjeve kriminale, nga analiza na rezulton se tregjet kriminale në Shqipëri paraqesin një situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si: Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë Kruja.

"Në Tiranë dhe qytetet bregdetare grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, ndërsa trafiku i narkotikëve është shfaqur problematik në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është evidentuar në Durrës, Shkodër, Laç dhe Fushë Krujë.

Vrasjet dhe tentativat për vrasje janë të shpeshta në Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Në Fushë Krujë është i pranishëm tregtia e armëve, lëndët shpërthyese dhe makinat e vjedhura që pastaj përdoren në ngjarje kriminale", u shpreh kreu i SPAK.

Pastrimi i parave të grupeve kriminale

Altin Dumani theksoi dhe se investimi në prona të luajtshme dhe të paluajtshme mbetet mënyra kryesore e pastrimit të parave në Shqipëri, kryesisht në apartamente dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe qytetet bregdetare, raporton newsbomb.al.

Për herë të parë, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme artikuloi se paratë e eksponentëve të krimit depozitohen në llogari bankare në emër të shoqërive tregtare dhe një skemë komplekse e paastrimit të parave përfshin dhe përdorimin e bankave si ndërmjetës.

"Pastrimi i parave të krimit të organizuar, investimi në prona të luajtshme dhe të paluajtshme mbeten mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri, veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe zona turistike si Vlora, Durrësi dhe Lezha.

Gjithashtu, një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose të afërm të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane.

Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t'i dhënë akses përfaqësuesit të mafias ndërkombëtare të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave që pastaj do të transferoheshin po me ndihmën e biznesit vendas, jashtë vendit.

Bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Financiare, bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte", u shpreh Altin Dumani në raportimin e tij në Komisionin e Ligjeve, raporton newsbomb.al.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese