Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania”, Edisa Demollari, ishte së fundmi e ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, ku foli hapur për jetën e saj personale dhe sfidat që ka kaluar.
Gjatë intervistës, ajo u ndal te një marrëdhënie serioze, në të cilën, së bashku me partnerin, kishin planifikuar të krijonin familje.
Megjithatë, përballja me pamundësinë për të pasur fëmijë solli tensione të vazhdueshme që përfunduan me ndarjen e çiftit.
“E provuam për vite me radhë dhe nuk ndodhi. Kjo solli shumë zënka në çift derisa përfunduam në ndarje,” u shpreh Demollari.
Ajo tregoi gjithashtu se pavarësisht kontrolleve të rregullta dhe rezultateve të mira shëndetësore për të dy, shtatzënia nuk erdhi.
“E donim shumë, por ndiheshim fajtorë. Ishin momente shumë të dhimbshme,” tha ajo.
Po ashtu ajo foli edhe për paragjykimet dhe komentet në rrjetet sociale lidhur me moshën dhe jetën e saj personale. Ajo theksoi se dëshira për t’u bërë nënë mbetet e fortë, por jo gjithmonë gjërat varen nga vullneti i individit.
