Pas përfshirjes në skandalin e tenderave dhe masës së vendosur ndaj saj, Mirlinda Karçanaj ka ndërmarrë hapin për delegimin e kompetencave drejtuese në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Me një urdhër të posaçëm administrativ, i mbështetur në një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore që rregullojnë funksionimin e administratës shtetërore, prokurimet publike dhe qeverisjen elektronike, Karçanaj ka përcaktuar strukturat që do të marrin përgjegjësitë për vijimin normal të punës së institucionit.
Romina Kostani, mësohet se do të jetë ajo e cila do të zërë përkohësisht "vendin" e Karçanajt, me qëllim vijimësinë e punimeve në këtë institucion.
Sipas vendimit, kompetencat dhe zbatimi i urdhrit i ngarkohen tre drejtorëve kyç të AKSHI-t: Drejtorit të Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me Fonde të Huaja, Drejtorit të Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike për Sistemet dhe Infrastrukturat e-Gov, si dhe Drejtorit të Infrastrukturës e-Gov. Këta drejtues do të garantojnë funksionimin e projekteve digjitale, sigurinë kibernetike dhe administrimin e infrastrukturës teknologjike të shtetit.
“Në mbështetje të ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, ligjit nr.90/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore”, të Ligjit nr.43/2023 “Për Qeverisjen Elektronike” të ndryshuar, të Kreut V, neni 21, pika 5 të Ligjit nr. 162, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik” të ndryshuar, të Kreut IX, neni 73, pika 2, të Vendimit nr. 285, datë 19.05.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar, si dhe të Rregullores së Brendshme Nr.2740 Prot., datë 20.6.2025 “Mbi detyrat dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”,
5. Ngarkohet Drejtori i Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me Fonde te Huaja, Drejtori i Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike për Sistemet dhe Infrastrukturat e-Gov dhe Drejtori i Infrastrukturës e-Gov, për zbatimin e këtij urdhri. 6. Ngarkohet Sektori i Arkivë Protokollit për njoftimin e këtij urdhri. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendim.
Ky delegim i detyrave nga Karçanaj ka ardhur në një moment kritik për AKSHI-N, ku abuzimi me tenderat i “hëngri kokën” drejtueses së këtij institucioni, biznesmenit Ergys Agasi, Ermal Beqirit dhe disa biznesmenëve të tjerë.
Delegimi i kompetencave synon të shmangë paralizimin e institucionit dhe të sigurojë vazhdimësinë e shërbimeve digjitale, në një kohë kur çështja vijon të mbetet nën lupën e drejtësisë dhe opinionit publik.
Hetimet e SPAK:
Një hetim i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, i zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka zbuluar një skemë të dyshuar kriminale të manipulimit të tenderave publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë.
Sipas SPAK, hetimi ka çuar në caktimin e masave të sigurisë për tetë persona, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mes personave ndaj të cilëve janë vendosur masa janë edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, për të cilat gjykata ka vendosur masën e “arrestit në shtëpi”.
Më herët u bë me dije se në qendër të hetimit janë edhe Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për ta është vendosur masa e “arrestit me burg”, por ajo nuk është ekzekutuar, pasi të dy nuk janë arrestuar gjatë operacionit.
“Në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara për t’u shpallur fituese”, thuhej në njoftimin e SPAK.
Personat e përfshirë në këtë skemë kanë ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të kompanive që merrnin pjesë në procedura tenderimi, duke i detyruar ata të tërhiqnin ankesat administrative. Ky veprim, sipas organit të akuzës, ka favorizuar kompani të paracaktuara, të cilat përfitonin kontratat publike, në raste kur shqyrtimi i ankesave mund të kishte ndryshuar rezultatin e garës.
Në këtë çështje dyshohet se është përfshirë edhe një zyrtar i Policisë së Shtetit. Sipas SPAK, Erion Ismaili, zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, është vënë nën masën e “pezullimit nga detyra” dhe “ndalimit për të dalë jashtë vendit”.
Gjithashtu, tre biznesmenë të tjerë, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, akuzohen se kanë qenë pjesë e skemës së manipulimit, përmes lëshimit të faturave fiktive ose pjesëmarrjes formale në gara tenderimi, pa kryer realisht shërbime apo punë. Për ta është vendosur masa e sigurimit “ndalim për të dalë jashtë vendit”.

