Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka bërë të ditur nga Parlamenti Europian se është miratuar Rezoluta vjetore për Shqipërinë me 483 vota pro, një shumicë e konsiderueshme që sipas tij përbën një vlerësim të rëndësishëm për progresin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Balla theksoi se ky vendim i eurodeputetëve është një mbështetje e qartë për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe falënderoi të gjithë ata që votuan në favor të saj. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për raportuesin Andreas Schieder, si dhe për Andrey Kovatchev, për kontributin e tyre në proces.
“Parlamenti Europian sapo miratoi me 483 vota PRO - një shumicë domethënëse Rezolutën vjetore për Shqipërinë. Ky vendim i sotëm i përfaqësuesve direktë të qytetarëve europianë është një vlerësim i madh i progresit solid të Shqiperisë sonë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Faleminderit të gjithë anëtarëve të Parlamentit Europian që votuan në mbështetje të së ardhmes europiane të Shqipërisë. Një falenderim i posaçëm për hartuesin e Rezolutës Raporterit për Shqipërinë Andreas Schieder, Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në PE gjithashtu edhe për Andrey Kovatchev, Raporter për Shqipërinë në Grupin e Partive Popullore Europiane”, shkruan Balla.
