Deputeti socialist Pandeli Majko ka zbuluar në seancën e sotme plenare një "kleçkë" të Partisë Demokratike në nenet e propozuara për ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, të cilat pritet të miratohen sot në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Ai tha se në Nenin 24 është shtuar pika 4 nga Partia Demokratike dhe me kërkesën e qartë që Komisioni Rregullator i zgjedhjeve të marrë 4 vota "PRO" për të lejuar votën e shqiptarëve që ndodhen në emigrim.
Pra, edhe nëse e drejta e diasporës për të votuar kalon sot në Kuvend, Partia Demokratike ka kërkuar që të jetë ajo që do të japë vendimin final në Komisionin Rregullator. Nëse anëtarët e saj nuk bëjnë 4 vota "PRO", atëherë shqiptarët e diasporës nuk mund të votojnë.
"I vetmi shqetësim që unë kam për të dy negociatorët, e kam shprehur edhe në Komisionin e Ligjeve, dua ta shpreh edhe këtu, unë e njoh dhe e njoh mirë sjelljen e Partisë Demokratike. Në ndryshimet e propozuara, në nenin 24 është shtuar pika 4, e cila thotë se Rregullatori duhet të marrë një vendim me të paktën 4 vota pro për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit.
Ç'do të thotë kjo? Pavarësisht se ne do të miratojmë sot gjithë aktet ligjore për të drejtën e votës të shtetasve jashtë vendit, propozimi i Partisë Demokratike, se ky është specifikisht propozim i Partisë Demokratike, thotë rregullatori do ta vendosë me 4 vota. E shkruajtur me 4 vota.
Partia Socialiste mesa di unë ka propozuar tre, dy i keni ju. Do të thotë 4 vota dhe pa dhënë okay në rregullator ju, nuk ka votë të shtetasve tanë jashtë vendit. Ky mua nuk më duket si një rregull teknik, por si një gozhdë Nastradini. Megjithatë, unë besoj se edhe duke parë entuziasmin tuaj në media që falë PD do të garantohet vota e diasporës, me siguri i gjithë ky dyshim i imi është një dyshim i kot. Ju do të nxisni të marrin pjesë shtetasit tanë jashtë vendit, që është një moment historik. Janë gjysma jonë.
Zgjedhjet tona kanë funksionuar mbi lista të manipuluara votimi, sepse gjysma e tyre nuk ishte në Shqipëri, por ne i llogarisnim sikur ata ishin në Shqipëri", u shpreh Pandeli Majko.
Më tej, deputeti socialist foli dhe për akuzat për këto ndryshime në Kodin Zgjedhor. Majko sqaroi se palët u detyruan të uleshin për marrëveshje për shkak se Gjykata Kushtetuese shfuqizoi herësin dhe i kishte lënë detyrë Kuvendit të Shqipërisë që të merrte masa për votën e shtetasve shqiptarë jashtë vendit.
"Viti tjetër do të jetë vit zgjedhor dhe ne si mazhorancë duhet të hynim me rregulla të përbashkëta në zgjedhjet elektorale të vitit 2025. Këtu na ka sjell jo dashuria politike, por një emergjencë kushtetuese. Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar herësin në Kodin Zgjedhor, përsa i përket renditjes në listën zgjedhore dhe na kishte lënë disa detyra për votimin e shtetasve tanë jashtë venit. Nëse s'do merreshin këto masa, ne do rrezikonim që zgjedhjet në 2025 të ishin të kontestuara.
Unë e kuptoj që këtu ka sindroma të natyrave të ndryshme që kanë të bëjnë me vullnetin e kryetarëve të partive, vendimmarrjen brenda partive, mënyrën sesi bëhen listat, për çështjen e prurjeve të reja në parti, por kam përshtypjen se këtu dikush ngatërron kekun me byrekun.
Nuk na ka sjell në një situatë të vështirë demokratike në Shqipëri, nëse do ta quajmë kështu, sistemet. Sistemet janë të tilla edhe në vende të tjera perëndimore. Ky sistem që kemi këtu nuk është ndonjë shpikje e jona. Ne, nëse do t'ja hedhim fajin, nuk kemi pse ja hedhim sistemit.
Nëse kanë dështuar partitë politike, ta themi hapur, kanë dështuar rregullat e brendshme të partive politike, por jo ka dështuar sistemi.
Këtu na ka sjell Kushtetuta dhe ne jemi të detyruar të merremi me pjesën e cila ka më shumë vota në Parlament, sepse të vetëm ne nuk mund t'i miratojmë këto ndryshime kushtetuese. Kush mendon se do të hyjë me lista të hapura, t'i votojë kundra. Nuk ka pse bën alegori këtu duke na thënë se duhet bërë kështu, apo duhet bërë ashtu, se është bërë kjo marrëveshje e poshtër, se Rama do bëhet mbret, apo do bëhet perandor.
Ne duhet të zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të kemi rregulla të përbashkëta me konsensus. Nuk di unë të jetë shkruajtur ndonjë nen nën presion. Në Komisionin e Ligjeve të gjithë çuam dorën dhe nuk pashë ndonjë fytyrë të zverdhur nga presioni i diçkaje", vijoi Pandeli Majko, deputet i PS.
