Lideri demokrat Sali Berisha ka folur lidhur me largimin e Agron Shehaj nga Partia Demokratike teksa ka treguar dhe “tentativat” e fundit për ta mbajtur atë pjesë të strukturave.
Berisha është shprehur se i ka ofruar Shehajt të garonte për udhëheqjen e Bashkisë së Tiranës apo dhe të fushatës lidhur me këtë qark, por ai ka refuzuar duke u shprehur se synon më shumë se kaq. Ndër të tjera ish-kryeministri ka thënë se partia “Mundësia” nuk mund të quhet parti e djathtë pasi vetë lideri i kësaj force politike ka deklaruar se nuk është pro rotacionit politik.
Sali Berisha: Unë e ftova, por ai ka dlaë me tezën që nuk është për rotacionin, dhe nuk është për sistemin. Të mos jesh për rotacionin është të jesh për Edi Ramën në pushtet. Të jesh kundër sistemit do të thotë të jesh anarkist.
Çim Peka: Sa herë ju kam pasur në studio, Shehaj vinte gjysmë ore para, njeriu më i sjellshëm dhe më i dhënë pas jush. Pyetja është konkrete, para se të ikte nga partia, a ju kërkoi diçka?
Sali Berisha: Jo nuk ka kërkuar asgjë, përkundrazi ai ka qenë i respektuar në parti. Unë i kërkova atij që mund të kandidonte për Bashkinë e Tiranës, ai e refuzoi duke thënë jam për më shumë. I thashë merr udhëheqjen politike të fushatës për Tiranën. Ai e mori në njëfarë mënyre. Pavarësisht unë them se kam bashkëpunuar me të, por ai u largua.


