Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ushtruar ditën e djeshme kontroll në banesën dhe automjetin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate në Malësinë e Madhe, Ardian Hysa.
Organi i akuzës ka ngritur dyshime se Ardian Hysa është i përfshirë në krime zgjedhore pasi nga hetimet e kryera nga SPAK, ka prova që mbështesin pretendimet se ka blerë vota në favor të PSD-së për zgjedhjet parlamentare 2025, raporton Report Tv.
Kontrolle lidhur me të njëjtën çështje hetimore, janë ushtruar dhe në banesën e Florenc Kalaj banues në Koplik, i cili dyshohet se i ka kërkuar favor Ardian Hysës në këmbim të votave të tij dhe familjarëve të tij.
Gjithashtu autoritetet kanë zbardhur komunikime kompromentuese mes Hysës dhe Kalajt, ku ky i fundit i kërkon favore për të dhe njerëzit e tij në këmbim të votave.
Florenc Tonin Kalaj: Perzotin tash se di une jane pak vota e burr si i thone i kam te atyne qe janë njerzve te mi a kupton po une perzotin e kam i fije te veshtire me shku vete prej problemit qe kaт a kupton..".." Po se di neqoftese bahet na i gjo si i thone asaj fales me mujt me mare ate letren..",
Ardian Hysa: “Flasim prej afer..”
Pas disa minutash, shtetasit e mësipërm komunikojnë përsëri dhe shprehen se do të komunikojnë nëpërmjet platformës Whatsapp.
Një tjetër komunikim i datës 5 maj 2025, kryetari i PSD Malësi të Madhe merr një mesazh nga një tjetër person që i shkruan "..Aa ja itash ika prej Koplikut se pata ul ata me mar kartat..”.
Sakaq ditën e djeshme Partia Socialdemokrate doli me një reagim zyrtar pas rapotimeve në media se anëtarë të kësaj partie janë proceduar penalisht për krime zgjedhore pas një operacioni të zhvilluar nga agjentë të BKH-së së bashku me Policinë e Shkodrës.
Në reagim thuhej se asnjë anëtar i shtabeve elektorale të PSD-së të jetë përfshirë në krime zgjedhore dhe se nuk ka pasur asnjë prezencë të BKH-së dhe as efektivëve të policisë në zyrat elektorale.
Referuar njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, nga kontrollet e ushtruar kundrejt 6 personave ditën e djeshme, janë gjetur dhe sekustruar 7 celularë, para dhe lista me emra qytetarësh që u gjetën këtyre shtetasve, disa dokumente të ndryshme, një shumë parash (euro dhe lekë) dhe tollona karburanti.


