Gjergj Mërkuri do të jetë drejtori i ri i Portit të Sarandës. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë Admir Malajn, i cili më herët ka drejtuar Portin e Vlorës dhe institucione të tjera shtetërore në rajonin e jugut.
Nuk dihet se cila është arsyeja e shkarkimit të Admir Malaj nga detyra, pasi është emëruar vetëm një vit më parë, sapo përfunduan zgjedhjet e 11 Majit. Ai ishte kryetar i PS në Vlorë dhe me një vendim të drejtpërdrejtë të Edi Ramës u vendos të largohej.
Përsa i përket Gjergj Mërkurit, ai është një figurë e njohur në radhët e Partisë Socialiste në Sarandë, sidomos në periudhën kur kjo forcë politike ishte në opozitë.
Në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, ai vendosi të kandidonte si i pavarur për postin e kryetarit të bashkisë, duke sfiduar si të majtën ashtu edhe të djathtën tradicionale në qytet, për shkak të pakënaqësive brenda partisë.
Në fjalimin e fushatës që mbajti atë vit në qytetin bregdetar, Edi Rama e ftoi publikisht politikanin rebel të së majtës që të mbyllte fushatën dhe të rikthehej te partia, duke njohur kontributin e tij dhe pakënaqësitë në degën e PS në Sarandë.
"Gjergj Mërkuri është një djalë idealist, një djalë i ndershëm, i drejtë. Gjergj Mërkurit, njerëz të Partisë Socialiste këtu i kanë rënë në qafë dhe kanë bërë gabimin shumë të madh", tha atëkohë Edi Rama, duke mbajtur hapur derën për Gjergjin.
