Hapësire reklamuese

Politikë

26 ditë protesta dhe asnjë lëkundje, MESAZHI i mazhorancës për kërkesat e protestuesve

Shkruar nga Newsbomb
26 ditë protesta dhe asnjë lëkundje, MESAZHI i mazhorancës
Foto arkiv/ Nje nga ditet e protestave ne Tirane

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka folur gjerë e gjatë mesditën e kësaj të enjteje lidhur me një sërë çështjesh të nxehta politike, duke u ndalur edhe te protestat që sot kanë hyrë në ditën e 26-të të tyre.

Këto protesta të cilat nisën fillimisht me kërkesën për anulimin e projektit të investimit në Zvërnec, kanë evoluar ditë pas dite duke përfshirë një sërë kërkesash të tjera politike. Mes tyre janë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate, si dhe kërkesa të tjera që lidhen me reformimin e sistemit politik si dhe ndryshimin e disa ligjeve.

Përballë këtyre kërkesave, Balla ishte i prerë në qëndrimin e tij, duke bërë të qartë se Partia Socialiste dhe mazhoranca qeverisëse nuk shohin asnjë arsye për të diskutuar kufizimin e mandateve të kryeministrit. Sipas tij, një praktikë e tillë nuk është pjesë e funksionimit të demokracive moderne dhe për rrjedhojë kërkesa e protestuesve nuk gjen mbështetje te shumica parlamentare.

Në të njëjtën linjë, kreu i grupit socialist përjashtoi kategorikisht mundësinë e një dorëheqjeje të kryeministrit Edi Rama. Balla theksoi se prioriteti kryesor i qeverisë mbetet procesi i integrimit europian dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, një objektiv që sipas tij do të përmbyllet nën drejtimin e Ramës dhe Partisë Socialiste.

“Nuk ka kufizim mandatesh në demokraci. Debatojnë sa herë të duan dhe shyqyr që kujtohen me kërkesën “hajde votoni një ligj të vetëm” në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ende dhe sot nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Shqiptarët e dinë fare mirë që ka një forcë të vetme politike e cila është e angazhuar plotësisht në anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe ky proces do të mbyllet me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”, tha Balla, duke u ndalur më tëj dhe te Dritan Goxhaj për të cilin ngriti akuza të forta duke thënë se ai “paguhet nga Irani”.

Sipas Ballës, retorika antiamerikane dhe mbështetja për regjimin iranian e vendosin Goxhajn larg qëndrimeve që përfaqësojnë shumicën e shqiptarëve.

Pjesë nga fjala e Ballës:

Taulant Balla: Nuk ka kufizim mandatesh në demokraci. Debatojnë sa herë të duan dhe shyqyr që kujtohen me kërkesën “hajde votoni një ligj të vetëm” në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ende dhe sot nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Shqiptarët e dinë fare mirë që ka një forcë të vetme politike e cila është e angazhuar plotësisht në anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe ky proces do të mbyllet me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

Dhe për të gjithë ju që shqetësoheni se pse unë etiketoj folës të caktuar apo drejtues të caktuar të kësaj proteste, një gjë dua t’jua them publikut shqiptar: nuk ka asnjë dyshim që Dritan Goxhaj punon për regjimin iranian. Unë nuk arrestoj askënd, arrestimet në demokraci i bën prokuroria, por një gjë duhet të jeni të sigurt: një person që e quan presidentin amerikan terrorist, që i quan SHBA-të terroriste, një person që mbron Iranin dhe sulmon SHBA-të, është një person që nuk ka lidhje me shumicën e madhe të shqiptarëve.

Ditën që do të dalë një shqiptar i ndershëm, mos harroni se protesta lindi për një investim 4 miliardë euro në Zvërnec. Keni dëgjuar ju në 5 kërkesat ndonjë çështje që lidhet me Zvërnecin? Do të ketë një diskutim.

Pyetje: A je i gatshëm ti, Grupi Parlamentar, t’i referoheni SPAK-ut, pasi vepra penale bie mbi SPAK-un për këtë fakt sa i përket Dritan Goxhajt?

Taulant Balla: Pavarësisht se terrorizmi apo tradhtia janë vepra të rënda, nuk janë subjekt i SPAK-ut pasi personi nuk është subjekt i SPAK-ut. Kam besim që institucionet shqiptare do të bëjnë detyrën, por nuk është kjo një çështje që më takon mua, pasi në çdo rast do ta politizonte. Ne kemi paguar me taksat e shqiptarëve shumë institucione.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese