Teksa sot të afërm, miq dhe kolegë të shumtë janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-politikanit dhe një prej figurave më të rëndësishme të së majtës shqiptare, Servet Pëllumbit, ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga qelia e tij, duke përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen e tij nga jeta.
Përmes rreshtave në një postim në rrjetet sociale, Meta ka shprehur hidhërimin për humbjen e Pëllumbit, të cilin e vlerëson si një figurë të spikatur të jetës politike dhe institucionale në vendin tonë, por edhe si një akademik me kontribute të rëndësishme në formësimin e mendimit dhe debatit publik në Shqipëri.
Gjithashtu, kreu i Partisë së Lirisë ka kujtuar dhe kohën kur ka bashkëpunuar me të, në një periudhë të vështirë tranzicioni, duke e cilësuar si një përvojë të rëndësishme në jetën politike të vendit.
“Me hidhërim të thellë mësova mbrëmë vonë për ndarjen nga jeta të Prof. Servet Pëllumbit, një figurë e shquar në jetën politike dhe institucionale të vendit, me kontribute shumë të rëndësishme jo vetëm në jetën politike, por edhe akademike.
Për mua ka qenë kënaqësi të bashkëpunoja me të në një periudhë shumë të vështirë të tranzicionit të vendit.
Ngushëllimet më sinqerta për bashkëshorten e tij, djemtë dhe gjithë familjen Pëllumbi për ikjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur, por edhe për të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët dhe dashamirësit.
Të prehet në paqen e merituar! I paharruar kujtimi i Prof. Servet Pëllumbit!”, shkruan Meta në rrjetet sociale.

