Arben Pëllumbi, biri i një prej figurave më të spikatura të së majtës shqiptare, Servet Pëllumbit, ka reaguar për ndarjen nga jeta të njeriut të tij të shtrenjtë, farit të tij i cili e udhëhoqi përgjatë gjithë jetës së tij.
Përmes një postimi të cilin ashtu sikurse dhe çdo njeri nuk do të donte kurrë ta bënte, por për fatin e keq ligji i jetës është i tillë, ai ka ndarë me ndjekësit këtë lajm të kobshëm dhe duke i treguar me krenari të gjithëve se sa krenar është që është djali i Servet Pëllumbit.
Mes kujtimeve dhe mirënjohjes, ai e ka sjellë figurën e të atit e një njeriu që jetoi me dinjitet dhe me një dashuri të pakushtëzuar për familjen, dijen dhe vendin. Për të, nuk ishte veçse një baba, por edhe mësuesi i parë, udhërrëfyesi i përhershëm dhe forca ku mbështetej në çdo sfidë.
“Sot u nda nga jeta babai im, Servet Pëllumbi! Profesori siç e thërrisnin të gjithë, ishte një njeri që jetoi me dinjitet, mendim të thellë dhe dashuri të pakushtëzuar për familjen, dijen dhe Shqipërinë. Për mua ai ishte më shumë se një prind, ishte udhërrëfyes, mësues dhe forca ime morale.
Largimi i tij më lë një boshllëk të pazëvendësueshëm, por vepra, fjala dhe shembulli i tij do të jetojnë përherë. Mirënjohje pa fund që pata fatin ta kem baba. U prehsh në paqe”, shkruan ai mes rreshtave dhe dhimbjes që po i “çan” kraharorin.
Servet Pëllumbi mbylli sytë përgjithmonë pasditen e 5 majit, duke lënë pas një trashëgimi të gjerë në jetën politike dhe akademike të vendit.
Ai ka pasur një karrierë të gjatë në radhët e Partia Socialiste dhe në Kuvendi e Shqipërisë, ku u shqua si një ndër figurat më jetëgjata dhe aktive. Pëllumbi ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Kuvendit, si dhe atë të nënkryetarit të Partisë Socialiste në vitet e para të pluralizmit.
I lindur më 14 dhjetor 1936 në Korçë, ai kreu studimet e larta në Universitetin e Petersburgut, ku u titullua doktor i shkencave në Letërsi. Karrierën e nisi si pedagog në Institutin Pedagogjik të Korçës dhe më pas në Universitetin e Tiranës, për t’u bërë më vonë pjesë e strukturave drejtuese politike.
Gjatë viteve ’90, ai luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike të vendit, duke udhëhequr fushata të rëndësishme dhe duke qenë një zë i fortë në debatet publike. Ai u përball edhe me dhunë fizike në trazirat pas zgjedhjeve të vitit 1996, në një nga episodet më të vështira të tranzicionit politik shqiptar.
Për kontributin e tij, Pëllumbi është dekoruar nga ish-presidenti Alfred Moisiu me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, duke u vlerësuar si një nga figurat që ndikuan në formësimin e mendimit politik në vend.
Homazhet në nder të tij do të zhvillohen ditën e sotme në ambientet e Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit. Ceremonia e homazheve do të nisë në orën 09:30, për të vijuar me homazhet zyrtare në mesditë dhe më pas përcjelljen drejt banesës së fundit në Varrezat e Sharrës, sipas protokollit shtetëror.
