Demokratët dhe socialistët nuk kanë gjetur “gjuhën e përbashkët” as në Parlamentin Europian. Përplasja mes mazhorancës dhe opozitës është reflektuar edhe në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri në Strasburg, ku delegacioni shqiptar nuk arriti të miratonte deklaratën e përbashkët me Parlamentin Europian, ndërsa debatet politike u shtrinë edhe mbi projektin e investimit në Zvërnec dhe ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Deklarata e përbashkët e Komitetit të Stabilizim-Asociimit është dokumenti zyrtar që miratohet në përfundim të takimeve periodike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke përmbledhur vlerësimet për ecurinë e vendit në procesin e integrimit dhe rekomandimet për reformat që duhet të ndërmerren. Megjithatë, këtë herë dokumenti nuk arriti të miratohej, pasi procesi i votimit përfundoi pa shumicën e nevojshme.
Sipas procedurës, miratimi i deklaratës kërkon shumicë të dyfishtë si nga delegacioni shqiptar prej 14 deputetësh, ashtu edhe nga 14 eurodeputetët që përbëjnë delegacionin e Parlamentit Europian. Në votimin e zhvilluar, delegacioni shqiptar u nda në mënyrë të barabartë, me 7 vota pro nga deputetët e Partisë Socialiste dhe 7 vota kundër nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Edhe delegacioni i Parlamentit Europian nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme, pasi deklarata mori vetëm pesë vota.
Për mosmiratimin e dokumentit, demokratët akuzojnë mazhorancën se ka refuzuar amendamentet e propozuara prej tyre, ndërsa socialistët kundërshtojnë këtë pretendim, duke argumentuar se një pjesë e amendamenteve të opozitës janë pranuar gjatë diskutimeve.
“Mazhoranca votoi kundër propozimeve që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, zbatimin e vendimeve të gjykatave, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë standarde themelore që Bashkimi Evropian i konsideron të domosdoshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe për përparimin e procesit të integrimit”, tha pala e djathtë.
Nga ana tjetër kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mbrojti projektin e Zvërnecit duke garantuar se Shqipëria do të respektojë të gjitha standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit. Ndërsa sa i përket Aeroportit të Vlorës, i cili prej muajsh është në një "ngërç", socialisti tha se "lufta" n♪7 këtë aeroport ka të bëjë me konkurrencën.
“Nga Parlamenti i Shqipërisë edhe unë jam regjistruar të them 2 fjalë lidhur me këtë temë. Është bërë qëllimisht që 2 parqet, i Vjosës dhe i Nartës të ‘bashkohen’ dhe të përmenden në një. Ne jemi i vetmi vend që ka një park të tillë në Europë si Vjosa. Ju duhet të mësoni nga ne, mos na jepni mësime. Lidhur me Aeroportin e Vlorës, duhet ta dini që aty ka pasur një aeroport shumë kohë më parë. Ka qenë një aeroport i ndërtuar nga italianët. Ne na nevojitet një port në jugun e Shqipërisë dhe lufta për aeroportin e Vlorës nuk ka të bëjë me çështjet mjedisore, por lidhet me konkurrencën. Neve na nevojitet një aeroport në jug. Shpresojmë që vitin që vjen të kemi mundësi të fluturojmë nga Vlora në Strasburg. Do ju ftoja të vinit të realizonit një mision faktmbledhës të gjithë bashkë, jo për të marrë like, por për të parë si është situata në terren”, tha mes të tjerash Balla.
“Në vitin 2014 ne prezantuam moratoriumin e gjuetisë për të ruajtur jetët e flamengove. 21.7% e gjithë territorit të vendit tonë është zonë e mbrojtur. Kemi 12 parqe kombëtare kategoria 2, kemi 11 pejsazhe të mbrojtura. Sipërfaqja e tokës të cilën ju përmendët, është tokë private. Ajo çfarë u tha nuk ishte e saktë. Nuk ka leje të dhënë ende. Ndikimi mjedisor do të vlerësojë ndikimet e mundshme në habitat dhe burimet ujore. Do ketë transparencë me komunitetin lokal. Qëllimi ynë është të promovojmë turizmin e qëndrueshëm, që hap vende pune. Sepse kemi nevojë për më shumë vende pune. Jemi të bindur që të thithim investime dhe do të garantojmë dhe mbrojmë të gjitha aspektet mjedisore. Lufta më e madhe për demokracinë është luftë kundër dezinformimit dhe është një luftë që duhet ta realizojmë të gjithë bashkë”, shtoi Balla.
