
Kreu i Lëvizjes "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj paralajmëron drejtuesit e administratës se nëse pranojnë të bëhen pjesë e procesit për patronazhimin e emigrantëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, do të përballen me masa ligjore.
Ai ka publikuar një format të modelit të patronazhimit dhe thotë se punonjësit e administratës janë detyruar nga eprorët të paraqesin lista të të afërmve në diasporë dhe të paguajnë postën për votime.
"Ky formular po dokumentohet nga kushdo po e ndan dhe do të depozitohet në prokurori rast pas rasti. Ndërsa punonjësve të administratës u them të kenë kurajo dhe të mos mërziten. Neveritini ata që ju përdorin si lecka dhe që ju kërcënojnë juve dhe familjet tuaja me bukën e gojës", shkruan Lapaj.
Kreu i Lëvizjes "Shqipëria Bëhet" citon dhe nenin 328/b, paragrafi i parë të Kodit Penal:
"Pjesëmarrja e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore në shërbimin civil ose në një funksion jopolitik në administratën shtetërore, në kundërshtim me ligjin, në aktivitetet ose fushatën zgjedhore, të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet."
Pak vite më parë, skena politike shqiptare u përfshi nga debate dhe akuza të shumta, kur në media rrodhi një listë patronazhimi e Partisë Socialiste. Punonjës të administratës dhe anëtarë të PS, kishin shkruar preferencat partiake për çdo qytetar, shoqëruar me detaje tjera.
© Newsbomb.al
