
Paulin Gega reagoi për herë të parë pas lajmit të bllokimit të karburantit “Gega Oil” nga Drejtoria e Tatimeve para 3 ditësh në Tiranë dhe shpalljes në kërkim nga policia për “evazion fiskal” dhe “pastrim parash”.
Për, “CAN.al”, administratori i kompanisë së tregtimit dhe shitjes së karburantit në Shqipëri mohoi informacionet se nuk është arratisur nga Shqipëria, duke thënë se po kalon pushimet në Greqi.
“Unë ndodhem në Greqi me pushime sipas një rezervimi të bërë disa muaj më parë, nuk jam arratisur nga Shqipëria, por jam larguar dy ditë më parë me familjen në Greqi për pushime vere. Jam i gatshëm të vë në dispozicion gjithçka për autoritetet duke theksuar se asgjë nuk është e vërtetë në lidhje me pretendimet se unë jam arratisur, se kompania ka kryer evazion fiskal apo pompat kanë qenë të paçertifikuara”, shprehet Gega për “CAN.al”.
Gega deklaroi se ka patur dijeni për kontrollin e ushtruar nga Drejtoria e Tatimeve për funksionimin e pompave të furnizimit me karburant.
“Kam qenë në dijeni të një kontrolli pak ditë më parë ku pretendohet se pompat e furnizimit me shumicë në vrimë në autostradë janë me regjim manual, pasi ka zhvilluar një kontroll, ata kanë konstatuar dhe pretenduar se pompat nuk ushtronin regjim automatik dhe nuk ishin të certifikuara,” tha ndër të tjera pronari i “Gega Oil”.
