Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Ndihma vjen vonë – Dhuna nuk pret! Gratë viktima nuk pajisen menjëherë më avokatë

Shkruar nga Newsbomb
Ndihma vjen vonë – Dhuna nuk pret! Gratë viktima nuk pajisen
Foto ilustruese

Nga Marsela Myrta

A., fshiu lotët dhe pasi shtrëngoi nofullat, nxitoi hapin për të hyrë brenda në Komisariatin e Elbasanit.  Nuk mund të toleronte më.  Dy fëmijët e saj 6 dhe 3 vjeç kishin parë me sytë e tyre boll skena dhune ndaj nënës së tyre.  Si në Gjermani dhe në Shqipëri. Babai i tyre, bashkëjetues i A., nuk po ndalonte, pavarësisht përbetimeve të vazhdueshme se do të ndryshonte.  Duhet ta ndalonte dhunën me çdo kusht! Këtë i tha vetes më fuqi, teksa e vetme kërkoi të fliste me oficerin e denoncimeve.  Ajo rrëfeu gjithçka dhe kërkoi ndihmë, për vete dhe për dy fëmijët. 

“Nuk kam parë, dhe nuk mund të kem një avokat. Nuk di as ku të shkoj”,-rrëfeu e dhunuara.  Policia e pajisi me Urdhrin e Menjëhershëm të Mbrojtjes dhe menjëherë e lidhi me një qendër që ofron strehim në Elbasan, të quajtur Forumi i Gruas.

 “Ata mund të të japin avokat falas, e bëjnë për të gjitha viktimat e dhunës”-i thanë në Polici.

 “Gjatë viteve të bashkëjetesës kishte pësuar dhunë fizike, psikologjike në vazhdimësi.   Në episodin e fundit të dhunës pas një konflikti me fjale, dhunuesi e kishte goditur me grushte dhe shkelma në kokë, në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar hematoma në trup dhe në fytyrë. Në momentin që rasti është ka qenë në polici, është thirrur nga policia ynë për ta asistuar viktimën në momentin e denoncimit të saj. Më pas rasti është shoqëruar për në Strehëzën e Emergjencës bashkë me fëmijët,”-deklaron për këtë rast organizata Forumi i Gruas Elbasan.

Shoqata e ndihmoi viktimën dhe dy fëmijët e saj, duke e strehuar dhe duke njoftuar autoritetet. A. mori ndihmë sociale e psikologjike, u vu në kontakt me koordinatoren e dhunës në bashki, si dhe dy fëmijët e saj u sistemuan nga bashkia në çerdhe e kopsht. Përmes Zyrës Rajonale të Punës dhe Qendrën e Formimit Profesional, u arrit shpejt të punësohet në një biznes. Por beteja, sapo kishte nisur....

Gratë pa avokatë në seancë

Sipas një raporti të publikuar nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, për 479 çështjesh të monitoruara, në 371 raste viktimat e dhunës në familje (pra, 77 % e tyre) kanë qenë e papërfaqësuar me avokat/mbrojtës ligjor gjatë proceseve civile të mbrojtës nga dhuna në familje.

Shteti jua ofron këtë shërbim falas viktimave të dhunës, vetëm pasi të kenë marrë urdhrin e mbrojtës nga gjykata, Zyra e ndihmës ligjore falas.

Forumi i Gruas Elbasan është një OFJ që përpiqet ta zgjidhë këtë hendek që në momentin e parë, ata kanë një marrëveshje me policinë dhe ju ofrojnë menjëherë avokat falas viktimave sapo ato trokasin në komisariat, por kjo ngelet një përpjekje e izoluar në krahasim me nevojat.

Gjatë periudhës Janar -Dhjetor 2024, pranë Qendrës së Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Elbasan, kanë kërkuar ndihmë juridike 22 gra dhe vajza,  viktima të dhunës në marrëdhëniet familjare.

Megjithkëtë, kjo zyrë, si në Elbasan, si në mbarë Shqipërinë, ofron ndihmë juridike falas, pra edhe avokat mbrojtës, vetëm pasi të kenë siguruar një vendim gjyqësor si urdhëri i mbrotjes, por askush nuk tregon se kur i ndihmon këto viktima që të shkojnë deri në këtë pikë, pra, të fitojnë këtë vendim gjykate.

“Një qytetar/e, viktimë e dhunës në familje, pjesë e kategorisë së veçantë sipas nenit 11 të ligjit nr. 111/2017 "Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti", për të përfituar ndihmë juridike falas, mjafton të paraqesë vendimin e gjykatës që vërteton se është e pajisur me urdhër mbrojtjeje, dokument identifikimi dhe certifikatën personale,”-tha Zyra e Ndihmës Juridike në Ebasan.

Policia nuk tregoi se sa denoncime për dhunën në familje regjistroi gjate vitit 2024 dhe cfarë procedurash ndjekin në rastet kur viktima kërkon avokat.

Një gjyqtare në Durrës dhe një në Tiranë të pyetura për këto praktika, thanë se nuk kanë instrument proceduralë për tu ofruar avokatë kryesisht (pra të paguar nga shteti) viktimave të dhunës që në momentin e parë që ato paraqitet në procesin civil për marrjen e urdhrin të menjëhershëm të mbrojtës.

Dhuna me bazë gjinore në marrëdhëniet familjare ngelet e nën raportuar, siç shpjegim dhe raporti i Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare. Gratë nuk guxojnë gjithmonë të denoncojnë dhunën, por kur e bëjnë, dhe i drejtohen policisë, shteti nuk ju ofron avokate falas, për t’u mbrojtur nga agresori në sallën e gjyqit për urdhrin e menjëhershëm të mbrojtës.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese