Hapësire reklamuese

OpEd

Nga Damen tek Fincantieri: si u paketua regresi si fitore

Shkruar nga Newsbomb
Nga Damen tek Fincantieri: si u paketua regresi si fitore
Adri Nurellari

Nga Adri Nurellari

Qeveria po e shet marrëveshjen me Fincantieri si një “sukses historik”, sikur Shqipëria po hyn për herë të parë në industrinë moderne detare. Në të vërtetë, kjo nuk është as risi dhe as fillim i ri. Është thjesht rikthim tek një kontratë të ngjashme të nënshkruar 18 vjet më parë me Damen Group, madje asokohe ishte në një formë më serioze dhe më të favorshme për Shqipërinë.

Marrëveshja me Damen Group ishte projekt real, i ngritur, funksional dhe i provuar në terren dhe përbënte një mundësi reale për të ndërtuar kapacitete detare afatgjata. Dëbimi i Damen nga Pashalimani sjell dëme të shumëfishta. Pikësëpari dëmton rëndë vazhdimësinë industriale, ekspertizën teknike dhe besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e investitorëve strategjikë. Ky veprim jo vetëm që rrit kostot ekonomike duke e nisur ciklin e zhvillimit nga zero, por minon reputacionin ndërkombëtar dhe integrimin evropian, duke ushqyer skepticizmin e vendeve partnere si Holanda. Për më tepër anijet kryesore që disponon aktualisht marina shqiptare janë pikërisht të linjës Damen Stan Patrol 4207, të cilat kanë natyrshëm nevojë për mirëmbajtje, modernizim dhe mbështetje teknike. Pra edhe nga pikëpamja operative, vazhdimi i bashkëpunimit me Damen kishte logjikë të drejtpërdrejtë.

Por diferenca më e madhe qëndron tek modeli industrial. Për më tepër, Fincantieri nuk njihet si kampione e transferimit të teknologjisë apo e ngritjes së kantiereve sovrane në vende të treta. Modeli i saj është më elitist dhe më i centralizuar dhe shumë konservatore për sa i përket eksportimit të pronësisë intelektuale e teknologjisë së avancuar. Ndërsa Damen Group ka histori të qartë në ndërtimin e rrjeteve industriale jashtë Holandës, duke ngritur dhe zhvilluar kantierë të suksesshëm në vende të ndryshme me transferim të thellë teknologjie. Pra, kush kërkon industri vendase, dije teknike dhe autonomi prodhuese, e di mirë ndryshimin mes të dyjave. Tek ne Fincantieri mund të sjellë ndonjë investim periferik për lyerje, saldim apo montim pjesësh të veçanta, ndërsa në kantierin Damen në Galați të Rumanisë ndërtohen anije të plota nga A-ja tek Zh-ja. Para pak ditësh nga ai kantier doli NRP D. Joao II për Portugalinë, një anije shumëfunksionale moderne 107.6 metra e gjatë, e projektuar për dronë, kërkim shkencor, misione detare dhe operacione emergjence.

Këtu duhet vënë në dukje edhe kostoja, Fincantieri është më shumë një kantier “boutique” i industrisë detare sepse prodhon anije të sofistikuara, shpesh shumë të shtrenjta, të blera nga vetë Italia si një lloj subvencioni për industrinë e saj ose të orientuara për eksport drejt klientëve me buxhete luksi. Po të shikohen eksportet e dekadës së fundit luftanijet e të njëjtës kategori apo me përmasa të ngjashme del se Damen i prodhon dhe shet me çmime rreth 20% më lirë. Për shembull me rreth €140 milion, tek Damen Group mund të afrohesh tek anija patrulluese e detit të hapur OPV 2600 prej rreth 98 metrash dhe afro 2,600 tonë, si modeli që ka blerë Pakistani. Ndërsa me të njëjtën sasi parash, tek Fincantieri përfundon tek patrulluesja Musherib Class, vetëm 63 metra dhe rreth 700 tonë, si ai që ka blerë Katari. Pra, me pak fjalë: tek njëra kompani blen anije më të madhe dhe më shumë prezencë detare, tek Fincantieri blen paketë më elitare e më të kushtueshme për tonazh më të vogël. Thënë ndryshe Damen ka ndërtuar reputacion global duke ofruar cilësi evropiane me çmime më racionale, ndaj edhe OPV-të, korvetat dhe fregatat e saj gjenden në dhjetëra vende të vogla e të mesme në Amerikën Latine, Azi dhe Afrikë.

Përtej kostos, këtu duhet shtuar se Fincantieri, ndryshe nga Damen Group, nuk njihet për një zinxhir aq të gjerë furnizimi global dhe as për gamën aq të shtrirë të platformave detare standarde e modulare. Fincantieri njihet kryesisht për kroçera gjigante turistike, fregata dhe projekte të shtrenjta me profil të lartë. Është një kompani me mbështetje të fortë shtetërore dhe me pozicion të privilegjuar nga shteti italian, por jo gjithmonë më konkurruesja në tregun ndërkombëtar kur vjen puna tek çmimi, fleksibiliteti dhe transferimi i teknologjisë.

Ndërsa Damen ka një gamë shumë më të pasur modelesh dhe shërbimesh. Mund të ndërtojë patrulluese, OPV, korveta, fregata, anije zbarkimi, tragete, rimorkiatorë, anije kërkimore, draga thelluese, anije furnizimi, platforma logjistike dhe dhjetëra tipe të tjera civile e ushtarake. Pra jo vetëm anije luftarake, por gjithë zinxhirin e industrisë detare. Është kompani globale me shtrirje reale në të gjitha kontinentet dhe me eksperiencë të gjerë në ngritjen e kantiereve dhe partneriteteve jashtë vendit të saj. Kjo do të thotë se një kantier i mirëfilltë Damen Group në Shqipëri do ta integronte vendin më fort në zinxhirët botërorë të prodhimit, në rrjetin e furnitorëve dhe në porositë ndërkombëtare.

Me pak fjalë, nuk do të kishim thjesht një fabrikë lokale, por një portë hyrjeje në tregun global detar. Gama e gjerë e produkteve, eksperienca me anije modulare dhe modeli fleksibël i Damen Group do t’i jepnin Shqipërisë shanse shumë më të larta për eksporte, bashkëprodhim dhe specializim në fusha shtesë ku vlera krijohet më shpejt dhe me më pak risk.

Prandaj le ta themi troç se qeveria po e shet si triumf atë që në thelb është një hap prapa. Po paketon si revolucion një rikthim tek diçka që e kishim pasur më parë, por kësaj here në variant më të dobët, më të paqartë dhe më pak të leverdishëm. Shqipëria nuk ka nevojë për shfaqje propagandistike me prerje shiritash e fotografi, por për marrëveshje që ndërtojnë fuqi reale; teknologji të avancuar, prodhim vendas të leverdishëm, vende pune të kualifikuara, integrim në zinxhirët globalë, mirëmbajtje të flotës ekzistuese dhe kthim konkret për taksat e qytetarëve.

 

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese