Hapësire reklamuese

OpEd

Numri 12… dhe fati i Elisës

Shkruar nga Newsbomb
Numri 12… dhe fati i Elisës
Rama dhe Spiropali

Nga Anila Basha (Editorial në Revistën Newsbomb)

Pakkush do ta kishte imagjinuar se brenda Partisë Socialiste, nën drejtimin e Edi Ramës, do të shfaqej qoftë edhe një shenjë e vogël kundërshtie ndaj vendimit të kryetarit. Për vite me radhë, opinioni publik është mësuar me forume politike ku fjala është monopol i liderit: një monolog i gjatë, ku shpallen direktivat, ndahen medaljet, artikulohen goditjet dhe shpallen përjashtimet. Në ato sallone politike, rrallëherë është dëgjuar një zë tjetër.

Prej më shumë se tre apo katër vitesh, shumëkush brenda strukturave duket se nuk e di paraprakisht se çfarë do të thotë kryetari-kryeministër në fjalimin e radhës. Por mesdita e 12 marsit solli diçka të pazakontë: një lloj “rebelimi të parë” pas shumë vitesh heshtjeje brenda radhëve socialiste.

Në seancën parlamentare të asaj dite, Elisa Spiropali dhe Fatmir Xhafaj nuk u paraqitën në sallën e Kuvendit për të shprehur votën e tyre lidhur me kërkesën për dhënien e lejes për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ndërsa Xhafaj, përmes disa gazetarëve në panele televizive, sqaroi se ndodhej jashtë Shqipërisë për çështje personale, Spiropali nuk dha asnjë shpjegim publik. Ajo u shfaq vetëm dy ditë më vonë, në një moment privat, në makinë me fëmijët dhe festimet për ditëlindjeje.

Por ajo që sot duket si një përplasje e qartë politike, nuk është më një konflikt me Ballukun. Të paktën në dukje, përplasja duket se është zhvendosur drejt një marrëdhënieje më të drejtpërdrejtë me vetë Ramën.

Politika shqiptare shpesh ecën me ritme aq të shpejta, saqë nuk të lë kohë për të kthyer sytë pas në arkiva. Megjithatë, pikërisht aty gjenden shpesh çelësat për të kuptuar sjelljen e aktorëve politikë.

Rruga e Spiropalit në Partinë Socialiste nisi nga lëvizja G99 dhe më pas në strukturat e FRESSH-it. Më 12 qershor 2012, kur PS ishte ende në opozitë, ajo fitoi garën për kryetare të Forumit Rinor Euro-Socialist. Një sfidë me ambicie të madhe politike dhe me një konkurrencë të fortë: gjashtë kandidatë, debate në çdo strukturë të forumit nëpër rrethe, përfshirje deputetësh dhe zyrtarësh partie që lobonin për kandidatët e tyre. Spiropali arriti të triumfojë, jo përmes një mbështetjeje të fortë nga qendra, por falë mbështetjes së të rinjve që panë tek ajo një model të ri politik, një profil të formuar në shkollim perëndimor dhe me një stil tjetër komunikimi.

Pas fitores, në sallën e Hotel “15-katëshi”, ajo dhe mbështetësit e saj festonin rezultatin. Në selinë e PS, ndërkohë, Rama reagoi me nervozizëm: “I thoni të vijë këtu”. Përgjigjja e Spiropalit mbeti e prerë: “Unë atje nuk shkoj. Nëse ai do, të vijë këtu”.

Refuzimi i saj u interpretua qartë: Rama nuk e kishte preferuar për kryetare të forumit dhe ajo nuk kishte ndërmend të paraqitej për t’i atribuar atij meritat e fitores.

Megjithatë, ai episod u harrua shpejt. Rama e riktheu Spiropalin në qendër të vëmendjes duke i besuar një post të rëndësishëm: drejtimin e përgjithshëm të Doganave. Ishte një rehabilitim i papritur politik. Që nga ai moment, raporti mes tyre ndryshoi rrënjësisht.

Spiropali nuk kurseu më elozhet dhe mbështetjen për liderin socialist, një mbështetje që kulmoi me epitetin e famshëm “Skënderbe”, për Ramën e që më vonë, u kthye në një diskutim të gjatë publik që vazhdon ende.

Në anën tjetër, Rama shpesh e përshkruante Spiropalin si një lloj energjie politike. Në një moment publik ai shprehej: “Elisa këtë punë bën: vjen dhe sjell frymën e suksesit. Elisa merr suksesin, shkon në një vend tjetër, çon frymë… merr frymë thellë dhe përgatitu… frymë pra, frymë… gjithçka është frymë, jep frymë, merr frymë, lësho frymë, hap frymë, shpërnda frymë…”.

Ky ekuilibër zgjati derisa në skenën e vendimmarrjes së lartë u shfaq Belinda Balluku, e cila u ngjit me shpejtësi në një nga pozicionet më të fuqishme të qeverisë.

Dhe pikërisht këtu, nis të marrë kuptim episodi i 12 marsit.

Pyetja që shtrohet tani është e thjeshtë, por politike: a do të arrijë Elisa Spiropali të krijojë vërtet “frymën” e një lëvizjeje politike me mungesën e saj në atë seancë parlamentare? Apo historia do të përsëritet si në vitin 2012, kur përplasja me Ramën përfundoi me një kompromis dhe rikthim në orbitën e liderit?

Numri 12 ka një simbolikë të veçantë në histori dhe kulturë. Ai shfaqet shpesh në Bibël; është numri i muajve të vitit, i apostujve, i shenjave të zodiakut; është ritmi i orëve të ditës dhe të natës. Madje edhe flamuri i Bashkimit Europian përfaqësohet nga një rreth me 12 yje.

Për Elisa Spiropalin, megjithatë, ky numër duket se ka një simbolikë tjetër.

Dy data të ndryshme – 12 qershor 2012 dhe 12 mars 2026 – në dy periudha të ndryshme politike, por me një të përbashkët: momentin kur ajo vendos të mos i bindet Edi Ramës.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese