Nga Jonida Hitoveizi
Në një vend si i yni, ku bota e spektaklit ka kaluar përmes shumë transformimeve, Silvana Braçe ka mbetur një figurë e dashur dhe e paharrueshme për publikun shqiptar. Një zonjë që përmes dritave të kamerës, duket se ka përçuar një pjesë të shpirtit dhe çiltërsisë së saj të veçantë.
Me një karrierë që përfshin dekada të tëra, ajo mbetet një simbol i elegancës dhe ngrohtësisë, një grua që ka arritur të ruajë një lidhje të fortë dhe autentike me publikun e saj. Në këtë intervistë për Newsbomb.al, Silvana na flet për udhëtimin e saj të gjatë në botën e spektaklit, sfidat që ka hasur dhe dashurinë e saj të pakushtëzuar për skenën dhe ekranin. Ajo na tregon se si ka arritur të mbajë gjallë pasionin për artin, ndërsa ndan me ne reflektime mbi jetën, familjen, dhe dashurinë e saj për publikun.
Silvana, ju vijoni të jeni ende aktive në jetën kulturore. Si e sheh botën e spektaklit pas kaq vitesh?
Po, mund të them se asnjëherë deri më sot unë nuk u ndava nga bota e spektaklit. Udhëtim që nis në fillim të viteve ‘80...Eh sa shumë, jemi më 2024. Ja dedikoj publikut këtë jetëgjatësi në skenë, se në fakt gjithçka kam bërë ka qenë për të kënaqur atë dhe më është kthyer me shumë dashuri dhe respekt që veç shtohet, tani veshur edhe me nostalgjinë. Nuk kam mundësi t’i takoj një e nga një, por ata ndjehen të vlerësuar secili, sa herë në skenë unë jepem me gjithë shpirt, ata ndjejnë përkushtimin, punën serioze që unë bëj paraprakisht duke u informuar me detaje për çdo rast, lexuar e shkruar, interpretuar se si ta përcjell rëndësinë e ngjarjes dhe mesazhin, ndjejnë preokupimin tim për paraqitjen, veshje, krehje, qëndrimin, pra një paketë e ujdisur me shumë merak që bën të vlerësuar e respektuar spektatorin. Sa për pyetjen tjetër, e çuditshme, por unë nuk dalloj ndryshime në botën e spektaklit.
Ndoshta se jam në vazhdimësi aty, por dhe se gjithmonë spektakli ka bërë të njëjtën gjë, ka ngritur jetën në art, ka zbukuruar jetën. Ndryshimi është vetëm teknologjia, të cilën artistët e venë në shërbim të një kënaqësie më të madhe estetike. Sado rryma moderne të vijnë, thelbi është përmbajtja, fabula,buzëqeshja dhe një sjellje e etikës së lartë.
Çfarë beson se ju ka bërë kaq të dashur për njerëzit? Cili mendon se ka qenë sekreti i kësaj marrëdhënie të padobësuar pavarësisht kohës?
Kjo marrëdhënie e mrekullueshme me publikun është nga gëzimet më të mëdha të jetës time që e provoj thuajse çdo ditë. Sapo dal nga shtëpia, këdo që shoh do ma thotë një fjalë të mirë. Të thosha që është e pabesueshme, jo, se e pres kaq natyrshëm. Kam investuar jetën, kohë të pakursyer sinqerisht dhe dashurisht për këtë profesion. Unë kam prezantuar jetën dhe artin e popullit tim me gjuhën tonë të bukur, e kam ndjerë, më ka përshkuar dhe e kam përçuar që publiku të lartësohet prej vlerave. Njerëzit kanë nevojë për fytyra të qeshura, për respekt dhe për një komunikim të ngrohtë. Ky besoj të jetë çelësi që hap zemrat e tyre.
Si është një dita jote e zakonshme?
Kjo është çudia, se përgjigja duhej të ishte klishe si për një grua ekrani që merret shumë me veten, por jo. Është krejt ndryshe. Unë nuk kam ditë pushimi.
Së pari, merrem me punët në familje pastrim, gatim, diskutim, shërbim, konsultim, prezencë e pamunguar shpirtërore për çdo hall e gëzim e pastaj takime, tele- fonata, shfletime e shkrime natën vonë, se skenarët duken të thjeshtë, por është krijimtari që do frymëzim e vetmi. Përveçse unë merrem vetë me gjithçka që i duhet skenës, apo ekranit si psh stili i grimit, apo kreh- ja, fustanet që janë një preokupim dhe punë e madhe për të qenë përherë aktuale. Është sfidë grua-artiste, ndoshta edhe burrë e art, se secili kemi përgjegjësitë tona.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 37-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg prej datës 20 shtator dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!
