Ish-drejtori i Policisë së Malit të Zi, Nikola Terziç, ka bërë të ditur se i është ndaluar hyrja në Serbi me kërkesë të Agjencisë Serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA). Ai tregoi se vendimi iu komunikua pas katër orësh pritjeje në pikën kufitare të Shpilanit, ndërsa po udhëtonte drejt Serbisë për të dhënë leksione në universitet.
Terziç u shpreh i befasuar dhe i zhgënjyer nga ky vendim, duke theksuar se ndalimi i tij dëmton studentët që kishin provime përfundimtare: “Pas katër orësh pritjeje në Shpilan, më është dorëzuar vendimi që më ndalonte hyrjen në Serbi, për arsye të mbrojtjes së sigurisë së Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj. Mendoj se ky vendim i ka dëmtuar qytetarët e Serbisë, sepse sot dhe nesër studentët kishin provimet e tyre përfundimtare.”
Terziç ka drejtuar përkohësisht Administratën e Policisë së Malit të Zi gjatë qeverisë së Dritan Abazoviç. Vendimi i autoriteteve serbe vjen vetëm pak orë pasi Mali i Zi ktheu mbrapsht në Beograd një grup prej 87 shtetasish serbë që mbërritën në Tivat me një fluturim çarter të “Air Serbia”.
Sipas shërbimeve të sigurisë malazeze, grupi u konsiderua rrezik për sigurinë kombëtare, pasi disa prej tyre kishin marrë pjesë në tubime me rrezik të lartë, ndërsa të tjerë figuronin të regjistruar për vepra penale dhe kundërvajtje me elementë dhune. Autoritetet shtuan se pjesëtarët e grupit nuk dhanë shpjegime bindëse për arsyen e udhëtimit.
Nga ana tjetër, mediat serbe dhe politikanë opozitarë kanë pretenduar se një pjesë e personave të kthyer nga Mali i Zi janë të lidhur me Partinë Progresive Serbe të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe kanë qenë të përfshirë në incidente gjatë protestave studentore dhe aktiviteteve politike në Serbi.
