Pentagoni po përballet me presion financiar në rritje për shkak të një sërë kostosh të papritura, ku rritja e shpenzimeve për karburantin renditet ndër sfidat më të mëdha.
Sipas të dhënave të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, çmimi mesatar i karburantit të paguar nga ushtria është rritur nga 154.14 dollarë për fuçi në tetor në 195.72 dollarë në prill, duke shënuar një rritje prej afro 27% brenda gjashtë muajve.
Këto të dhëna përfshijnë kostot mesatare për rreth dy duzina llojesh karburanti, mes tyre benzina dhe karburanti për avionë.
Çmimet e karburantit janë rritur ndjeshëm gjatë luftës në Iran, duke shtuar potencialisht më shumë se 1 miliard dollarë kosto të paplanifikuara këtë vit për të operuar avionë ushtarakë, tanke dhe pajisje të tjera. Departamenti i Mbrojtjes thuhet se konsumon rreth 80 milionë fuçi karburanti çdo vit.
Udhëheqësit ushtarakë po përballen gjithashtu me rritjen e kostove të karburantit për transportin civil dhe biletave të avionit komercial. Duke qenë se shpesh trupat mbështeten në fluturime komerciale, makina me qira dhe udhëtime me automjete personale të rimbursuara për trajnime dhe aktivitete të tjera, këto rritje po ushtrojnë një barrë shtesë mbi buxhetet.
Si pasojë, shpenzimet e udhëtimit janë vënë nën shqyrtim të rreptë. Raporti tha se të paktën që nga prilli, disa njësi kanë ulur ndjeshëm ose anuluar udhëtimet për trajnime dhe ngjarje të tjera për të frenuar kostot.
"Dinamikat aktuale të tregut të energjisë po rrisin kostot e karburantit, të cilat mund të ndikojnë në kostot e transportit të personelit, furnizimeve dhe pajisjeve", tha nënkolonel Orlando Hoëard, një zëdhënës i ushtrisë.
Raporti thekson gjithashtu se Ushtria Amerikane është detyruar të bëjë “shkurtime të thella në trajnime, ndërsa përballet me një mungesë prej 4-6 miliardë dollarësh gjatë pjesës së mbetur të vitit fiskal, që përfundon më 30 shtator”.
