Pa mbushur ende 24 orë nga zhvillimet e fundit, situata në Ngushticën e Hormuzit duket se është rikthyer sërish në fazën e mëparshme, duke reflektuar një “ping-pong” të vazhdueshëm mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas mediave të huaja dhe deklaratave të shpërndara nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, kontrolli mbi këtë korridor strategjik detar është kthyer në “statusin e mëparshëm”, çka nënkupton masa të shtuara dhe mbikëqyrje të rreptë nga forcat iraniane.
Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian IRIB, zyrtarët e IRGC akuzuan SHBA-në se ka vijuar “aktet e piraterisë dhe vjedhjes detare” nën justifikimin e bllokadës ndaj porteve iraniane. Sipas tyre, vendimi për rikthimin e kontrollit të plotë mbi ngushticën lidhet drejtpërdrejt me mosrespektimin e premtimeve nga pala amerikane.
