Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës që mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit në Tiranë, ka folur sonte në emisionin “Open”, pas vendimit të Prokurorisë për të rihapur çështjen e 21 janarit.
Ai tha se në këto 10 vite janë bërë hetime false me qëllim për të mbyllur dosjen, pasi kishte ndikime politike. “Ajo ishte një vrasje shtetërore”, tha Mark Nika teksa shtoi se prokuroria e Tiranës e ka trajtuar si një vrasje shtetërore.
Nika deklaroi se këto vite të gjithë prokurorët kanë qenë të ndikuar politikisht dhe ekonomikisht, ndaj nuk është zbardhur çështja.
Mark Nika: Vendimi është i mirëpritur, por ne paralelisht me këtë kemi bërë apel në Gjyaktën e Strasburgut. Kemi konstatuar në dosjen që ka prokuroria e Tiranës, që janë bërë hetime false me qëllim për t’i mbyllur ato, hetimet. Ne na vret shumë kjo, heshtja na vret. Shpresoj që drejtësia të na japë një konklizion. Nuk kemi pasur asnjë raport këto vite, asnjë përgjigje në 10 vite. Hetimet janë bërë përciptas sepse ka pasur ndikim nga politika. Prokuroria e ka konsideruar si vrasje të zakonshme, ajo ishte vrasje shtetërore. Duhet që ta marri në dorë SPAK-u këtë çështje. Një pjesë e mirë e politikës hesht. Është politika ajo që e ngatërron drejtësinë. Tani është ndarë pak drejtësia nga politika. Por për asnjë çështje të rëndësishme prokuroria nuk e thërret Berishën. E trajtojnë atë vrasje jo si vrasje shtetërore, por si plagosje e thjeshtë. Ministri i Brendshëm asokohe, komandanti i Gardës duhet që SPAK t’i hetojë. Ne jemi shumë të zhgënjyer. Unë nuk kam kërkuar asnjëherë drejtësi nga qeveria apo Rama, por që qeveria të krijojë kushte që prokuroria të funksionojë, por gjithnjë ka heshtur, sepse prokurorët ishin të korruptuar moralisht, politikisht dhe ekonomikisht.
