Mbreti Charles ka thënë se ai dhe Mbretëresha Camilla nuk do të zhvendosen në Pallatin e Buckinghamit pasi të përfundojnë punimet e rinovimit prej 370 milionë paundësh vitin e ardhshëm.
Plani 10-vjeçar i rinovimit mund të jetë në prag të përfundimit, por Mbreti dhe Mbretëresha Camilla nuk do të kthehen në shtëpinë historike si rezidencë e tyre zyrtare.
Pallati do të mbetet 'selia e monarkisë', por Charles ka vendosur që Clarence House do të jetë shtëpia e tij zyrtare në Londër për pjesën tjetër të mbretërimit të tij.
“Madhëria e Tij ruan një dashuri të madhe për Pallatin e Buckinghamit dhe një respekt të thellë për rolin e tij në jetën mbretërore dhe publike”, tha një zëdhënës i pallatit. “Do të jetë një vend i gjallë aktiviteti mbretëror në çdo aspekt tjetër”.
Vendimi është marrë pjesërisht për të rritur aksesin e publikut në monumentin e Londrës, i cili mbetet jashtëzakonisht popullor me vizitorët. Kur Mbreti është në rezidencë, siguria duhet të kufizojë numrin e vizitorëve dhe zonat që ata lejohen të shohin.
"Mbreti dhe Mbretëresha kanë vendosur të mos e përdorin Pallatin Buckingham si rezidencë personale dhe në vend të kësaj do të vazhdojnë të përdorin Clarence House si shtëpinë e tyre në Londër", është shprehur James Chalmers nga oborri mbretëror.
Ndërtesa ikonike i është nënshtruar një projekti 10-vjeçar rinovimi duke zëvendësuar kaldajat, kabllot elektrike dhe tubat për të zvogëluar rrezikun e zjarrit dhe përmbytjeve, dhe pritet të përfundojë marsin e ardhshëm.
Tradita e përdorimit të Pallatit Buckingham si seli zyrtare mbretërore u nis nga Mbretëresha Victoria në vitin 1837.
