Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite zyrtare në Irlandë, ka vlerësuar progresin e bërë në negociatat e anëtarësimit nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Ajo theksoi se të dy vendet po përparojnë në procesin e zgjerimit.
“Shqipëria dhe Mali i Zi po vijojnë të përparojnë në procesin e zgjerimit. E mirëpres shumë mbështetjen tuaj të fortë për këtë proces, siç e përshkruat, të bazuar në meritë. Kjo mbështetje përfshin edhe qëllimin për të përfunduar deri në fund të vitit negociatat e pranimit me Malin e Zi”, tha ajo.
Ursula von der Leyen gjithashtu u shpreh se vetë historia e Irlandës na kujton pse zgjerimi është një nga investimet më të zgjuara të Evropës.
“Ne kemi çdo arsye për t’i besuar Irlandës në këtë, sepse, në fund të fundit, zgjerimi historik i vitit 2004 u realizua nën presidencën irlandeze të asaj kohe. Edhe vetë historia e Irlandës na kujton pse zgjerimi është një nga investimet më të zgjuara të Evropës.”
Nga ana tjetër, edhe kryeministri i Irlandës përsëriti mbështetjen për vendet kandidate në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Aktualisht, Shqipëria ndodhet në fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit, pasi ka përmbushur kriteret e ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”.
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009, mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe hapi zyrtarisht negociatat në vitin 2022. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, synon që vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
