Protestuesja, Luçjana Kokaj gjatë fjalës që mbajti në protestën e ditës së sotme e cila është në ditën e saj të gjashtëmbëdhjetë, e ka shprehur qartë se protesta nuk është e një individi, por e qytetarëve dhe rinisë shqiptare. Ajo ka treguar se kishte qenë në Drejtorisë e Policisë në lidhje me marshimin e ditës së djeshme drejt Aeroportit të Rinasit, duke thënë se marshimi ishte spontan. Ajo përshëndeti maturinë e protestuesve dje që nuk u përplasën me policinë, të cilët i konsideron pjesë të shoqërisë sonë, vëllezër, prindër, familjarë, që thjesht kryejnë një detyrë. Në fjalën e saj, protestuesja ka nënvizuar se kauza është e pastër, të protestohet me qytetari, me respekt për ligjin dhe pa cënuar bashkëqytetarët. Ajo ka theksuar se kjo lëvizje është edhe për ata që nuk guxojnë të dalin në shesh nga frika se do t’u hiqet rroga me të cilën mbajnë familjet. Në fund, kërkesa është rrëzimi i sistemit 35-vjeçar dhe rikthimi i Shqipërisë shqiptarëve.
“Mirëmbrëma të gjithëve. Atëherë unë vij nga komisariati i policisë ku isha për të bërë një deklaratë për marshimin e djeshëm. Ashtu siç e sqarova edhe në komisariat, unë jam pjesë e grupit që kemi marrë iniciativën ditën e parë për organizimin e protestës, por nuk jam organizatore. Organizatorët jeni ju, protesta është e juaja, e qytetarëve, e rinisë shqiptare.
Gjithashtu marshimi ka qenë një gjë spontane nga të rinjtë, nuk ka qenë i koordinuar nga askush. Bravo atyre që arritën të shkonin dhe bravo atyre që treguan maturi dhe pjekuri të mos përballen me policinë e shtetit, sepse ata janë vëllezërit tanë, prindërit tanë, xhaxhallarët tanë, dajat tanë, ndaj duhet t’i respektojmë. Kanë zgjedhur të bëjnë një detyrë, uroj që ta bëjnë ashtu siç duhet.
Ne po protestojmë edhe për ata që të mos jenë më peng i partive politike, por të jenë me meritokraci aty. Ndaj çdo ditë, çdo ditë ne do tregojmë qytetarinë tonë, do të vazhdojmë protestat bashkë, marshimet bashkë në respektim të ligjit dhe pa cënuar bashkëqytetarët tanë.
Kjo protestë është edhe për ata që nuk mund të vijnë këtu në shesh, që nuk guxojnë të vijnë sepse do t’ju heqin rrogën me të cilën mbajnë familjet e tyre.
Kërkesa jonë është shumë e qartë: rrëzimi i këtij sistemi 35-vjeçar. Shqipëria duhet t’u rikthehet shqiptarëve.”, u shpreh protestuesja Luçjana Kokaj.
