Arjan Curri foli për emisioni "Top Story", në Top Channel në lidhje me marshimin e ditës së djeshme ku shumë qytetarë bllokuan rrugën e Aeroportit Kombëtar të Rinasit, duke e quajtur veprim të pamenduar
Ai tha se kishte paralajmëruar që në fillim se pa organizim dhe pa një grup drejtues, turma rrezikon të kthehet në kaos. Sipas tij pikërisht kjo ndodhi një person dha një thirrje për marshim drejt Rinasit dhe turma, e ndikuar nga psikologjia kolektive, u nis pa e menduar.
"Që në fillim unë kam këmbëngulur duke u thënë protestuesve që të mos funksionojnë si një popull pa organizim, pa kokë, pa një grup përgjegjës për organizimin e protestës, sepse përndryshe do të ishin si një “Big Brother” bulevard. Filluan të gjithë: “Jo, tradhtar, i shitur, i blerë.” Ne e dimë që një pjesë e turmës funksionoi fiks siç thotë Frojdi, që superegoja e turmës identifikohet me ndërgjegjen e atij që i kryeson, dhe mjafton që njëri të thotë: Jepini, marshim drejt Rinasit! Gjithë turma si një kope u nisën, si ata izraelitët që ikën nga eksodi i Egjiptit, drejt Rinasit. Tani unë vë një bast, po t’i marrim një ditë më vete gjithsecilin nga ata dhe t’i themi a ikim në Rinas në këmbë?”, do të thonë: "I çmendur je ti."
Ndërkohë që dje ikën të gjithë në një distancë 18.5 km që duhej katër orë për ta përshkuar, dhe një pjesë e mirë e tyre arritën deri atje. Pra, ky ishte edhe pas katër orësh në këmbë. Shumica, në kthim, pastaj morën makinën dhe atje u përballën me drejtorin e policisë së Tiranës, i cili u tha: “Nëse nuk ktheheni dhe nëse nuk e lironi rrugën, do t’ju arrestoj.” Atje disa prej tyre, sikur të dilnin nga një hipnozë, thoshin: Ou, po çfarë po bëjmë ne këtu? Nuk e dimë pse jemi këtu.” Dhe kur u kthyen filluan të akuzonin, të shanin dhe të mallkonin njëri-tjetrin: “Tradhtar!”, “Maskara!”, "Përçarës!", sepse ishin në një hipnozë kolektive. Ajo që unë kisha frikë që ditën e parë, pikërisht sepse nuk kanë kokë ose kanë disa koka, dhe e panë veten atje. Pashë një vajzë me syze dje që tha: “Ne nuk e kuptuam si shkuam atje, si u gjendëm.”, tha Curri.
Ai e lidh këtë sjellje me teoritë e Sigmund Frojdit dhe Gustave Le Bon, të cilët shpjegojnë se individi brenda turmës humb arsyen dhe ndjek verbërisht drejtuesin, shpesh duke u sjellë në mënyrë primitive ose irracionale. Protestuesit ecën 18 km në këmbë, pa e kuptuar pse, dhe kur u përballën me policinë, sikur u zgjuan nga një hipnozë dhe filluan të pyesnin veten se çfarë po bënin.
Arjan Curri e quan këtë gjendje një lloj hipnoze kolektive ose sëmundja e amokut, një gjendje ku njerëzit nisen në një vrap pa arsye, derisa u mbaron energjia dhe pastaj nuk mbajnë mend pse e bënë. Në fund, ai e përshkruan protestën si një revolucion delesh, një revoltë pa kokë, pa drejtim, ku turma u soll si një kope e manipuluar.
"Ka dhjetëra njerëz që humbën avionët dje, nuk shkuan në destinacionet e tyre. Tani nuk e dimë çfarë krijon kjo, është pozitive, është negative, nuk e di. Por të bësh 18 km rrugë për të mos krijuar asgjë në fund, dhe pastaj të thuash “Ka një diagnozë, po hajde t’i ngacmojmë deri në fund.” Ka një diagnozë në psikologji që quhet sëmundja e amokut. Le ta kërkojnë protestuesit kur të kthjellohen, kur t’u dalë hipnoza. Tamam mbasi të mbarojë protesta. Ka njerëz që në një moment nisin një vrap, ikin, ikin, ikin derisa u këputet gjithë energjia dhe bien në tokë, plandosen, dhe kur zgjohen thonë: “Ku jam? Nuk mbaj mend pse e bëra." Gjatë asaj rruge mund të bëjnë edhe vepra kriminale, siç thotë Le Bon, që anëtari i turmës në psikologjinë e turmës kthehet barbar. Por prapë nuk po i fus aty, se do ta bëjmë në një emision kur të qetësohen gjërat. Shqetësimi im është ky që nga fillimi, gjeni njerëz të përgjegjshëm që të mos bëheni dele, sepse dje revolucioni i flamengove, qoftë dhe për një natë, u kthye në revolucion delesh.", vijoi ai.
