Ky është i riu Albiano Kreçi, që humbi jetën tragjikisht pasditen e kësaj të hëne në Ksamil. Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin bregdetar të Ksamilit, ku 22-vjeçari humbi jetën pas një aksidenti të ndodhur në orët e pasdites.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja u regjistrua rreth orës 18:30 në hapësirën detare të Ksamilit, ku Kreçi ishte duke lundruar me një mjet tip “jet car”, ne momentin kur dyshohet se u përplas me një skaf të Policisë Kufitare të Sarandës e cila ndodhej në shërbim dhe monitorim të hapësirës detare, rreth 400 metra larg bregut.
Fatkeqësisht kjo përplasje rezultoi të ishte fatale për të riun. Ishin efektivët e policisë dhe personat e tjerë që ndodheshin në afërsi të vendit të ngjarjes ata të cilët ndërhynë për të nxjerrë 22-vjeçarin nga deti.
Menjëherë ai u transportua me urgjencë në spitalin e Sarandës, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra nga përplasja.
“Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën”, njoftoi Policia më herët.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka sjellë dhimbje dhe trishtim në Ksamil, ku Albiano njihej si një djalë i ri, i lindur dhe i rritur në këtë qytet, duke lënë pas pikëllim te familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njihnin.
Ndërkohë, pas ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen të gjitha veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti tragjik.
