Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Rinasi nuk preket! Protesta distancohet nga bllokimi, aktivisti e shpall aeroportin “portën jetike” të Shqipërisë dhe diasporës: Nga aty na bashkohen të gjithë

Shkruar nga Newsbomb
Rinasi nuk preket! Protesta distancohet nga bllokimi, aktivisti e shpall
Fotomontazh: Protestuesit nje nate me pare dhe aktivisi Alben Kola- Aeroporti i Rinasit

Një natë me pare, një grup protestuesish iu drejtuan Rinasit, me synimin për të bllokuar këtë segment, i cili përbën nyjën kryesore që lidh Tiranën me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Megjithatë kjo lëvizje nuk është përqafuar nga organizatorët e protestës, të cilët kanë theksuar se nuk kanë qenë pjesë e këtij veprimi dhe se grupi që u drejtua drejt aeroportit nuk është udhëhequr prej tyre.

Aktivisti Alben Kola është shprehur se protesta do të vijojë në mënyrë paqësore, duke përjashtuar çdo formë dhune apo përshkallëzimi. Ai ka ritheksuar gjithashtu se Aeroporti i Rinasit mbetet një nyje jetike e vendit dhe nuk do të përfshihet në bllokime apo veprime që cenojnë funksionimin e tij, duke e cilësuar atë si një nga asetet më të rëndësishme të infrastrukturës dhe një pikë kyçe lidhëse me diasporën shqiptare.

“Ne kemi thënë çdo natë se kjo është një protestë model, ku zemra është rinia dhe mërgata shqiptare. Si mund ta ndalojmë mërgatën që të vijë me avion? Aeroporti është nyja kryesore që ka ndryshuar imazhin e Shqipërisë. Prandaj duhet të jetë e qartë për të gjithë, nuk do të ketë asnjë tentativë për të bllokuar aeroportin,” u shpreh ai, duke shtuar se aeroporti mbetet një pikë ku lidhen shqiptarët e diasporës dhe turistët nga e gjithë bota.

Pjesë nga fjala e tij:

Rama burg, Berisha në burg. Siç e keni parë se në rrjete sociale që humbës mendojnë se jemi përçarë, nuk jemi të përçarë, ka pasur keqkuptime, ka tentativa, por nuk jemi për të akuzuar dhe të bëjmë armiq askënd.

Armiku i vetëm sot është i përbashkët, është Edi Rama dhe qeveria e tij. Prandaj që të kuptohemi, marshimi ka qenë i organizuar nga grupe të rinj, siç thuhet gjenerata Z, por unë do të thoja gjenerata më e bukur, duke qenë se marshimi nuk ka pasur të bëjë me grupin nismëtar as me organizatorët, nga sot do të jem unë në ballë të marshimit bashkë me studentët, por studentët do të jenë pararoja e këtij marshimi me një pankartë, pasi ata kanë një betejë të pambaruar.

 Tani kemi shumë beteja që i kemi bërë bashkë derisa ky të ikë dhe kjo qeveri të shporret. Që të qartësohemi me gjithë shqiptarët, ne kemi thënë çdo natë që kjo është protesta model, që zemra është rinia dhe mërgata shqiptare, tani si mund ta ndalojmë ne mërgatën që të vijë me aeroplan. A e kuptoni që aeroporti është nyja kryesore e jetës që na ka ndërruar imazhin e Shqipërisë, gati vijnë dhe shkojnë shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut.

Prandaj të jetë e qartë për të gjithë, asnjëherë nuk do të ketë tentativë për të bllokuar aeroportin, pasi aeroporti është vendi ku turistë nga e gjithë bota vijnë dhe na bashkohen ne këtu. Mos harroni që jeta ime lidhet drejtpërdrejt me turizmin.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese