Në fjalën e mbajtur në ceremoninë përmbyllëse të Procesit të Rivlerësimit Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, kreu i SPAK Klodian Braho theksoi se vettingu nuk do të konsiderohet si një garanci për njerëzit e drejtësisë. Më tej kreu i SPAK nënvizoi se do veprim korruptiv i kryer nga prokurorët apo gjyqtarët do të hetohet si vepër penale.
“Çdo veprim i mundshëm korruptiv i prokurorëve dhe gjyqtarëve është dhe do të mbetet në vëmendjen e SPAK-ut, sa herë që rrethanat do të justifikojnë ushtrimin e ndjekjes penale” tha Braho në fjalën e tij.
Po ashtu, drejtuesi i SPAK theksoi se konfirmimi në detyrë i magjistratëve nuk i përjashton ata nga përgjegjësitë ligjore të ushtrimit të detyrës në të ardhmen.
Duke theksuar se besimi i njerëzve duhet të fitohet me profesionalizëm dhe trajtimin e individëve, qofshin ata njerëz të drejtësisë apo jo, të barabartë përpara ligjit.
Në përmbyllje të fjalës së tij Braho për të disatën herë theksoi se sfida kryesore e magjistratëve mbetet përgjegjësitë që ata kanë nga Reforma në Drejtësi, për të cilën kërkoi që të vijohet e të trajtohet me kujdes, ashtu siç është bërë deri më sot.
Fjala e Klodian Brahos: Konfirmimi në detyrë i prokurorëve dhe gjyqtarëve gjatë procesit të rivlerësimit i përket një periudhe të kaluar. Ky konfirmim nuk mund të shërbejë si ‘imunitet’ edhe për të ardhmen. Procesi i rivlerësimit ka përfunduar, por standardet e vendosura për kontrollin e pasurisë, të figurës dhe anës profesionale do të vazhdojnë të jenë të zbatueshme.
Çdo veprim i mundshëm korruptiv i prokurorëve dhe gjyqtarëve është dhe do të mbetet në vëmendjen e SPAK-ut, sa herë që rrethanat do të justifikojnë ushtrimin e ndjekjes penale. Vettingu ndikoi në ripërtëritjen e sistemit të drejtësisë. Besimi i qytetarëve tek drejtësia nuk mund të kërkohet pa përgjegjshmëri individuale. Standardet e Vettingut reflektohen dhe në punën e përditshme.
Gjyqtarët dhe prokurorët tashmë kanë kaluar në filtra të sigurt, që qytetarët të krijojnë besim tek drejtësia. Dua të falënderoj të gjithë ata, që morën pjesë në këtë proces historik. Për SPAK, Vettingu ka pasur një rol të veçantë. Tashmë drejtësia përfaqëson interesin publik me profesionalizëm e me paanshmëri.
Institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi tashmë kanë pjekurinë e duhur. Tani duhet që të ruajmë standardet që kemi arritur.
