Stafi ligjor i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe i institucioneve të tjera të drejtësisë përforcuan sot aftësitë e tyre profesionale në kërkimin ligjor, arsyetimin ligjor dhe shkrimin juridik, gjatë një kursi të specializuar trajnimi.
Trajnimi u organizua nga Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së dhe projektin JUSTAL të Bashkimit Evropian.
Programi synoi përmirësimin e aftësive të pjesëmarrësve për të kryer analiza të thelluara ligjore dhe për të hartuar dokumente juridike të qarta, të qëndrueshme dhe të mirarsyetuara, të cilat janë elemente kyçe për garantimin e cilësisë, transparencës dhe efektivitetit të punës gjyqësore.
Pjesëmarrësit shqyrtuan edhe praktika bashkëkohore në shkrimin juridik, përfshirë përdorimin e terminologjisë së saktë dhe stilin profesional të të shkruarit.
Sesionet interaktive, ushtrimet praktike dhe diskutimet në grup nxitën të nxënit aktiv dhe shkëmbimin e përvojës. Studime rastesh dhe shembuj nga situata reale të punës së tyre të përditshme u përdorën për të rritur zbatueshmërinë e përmbajtjes së trajnimit.
Trajnimi është pjesë e mbështetjes së vijueshme të Prezencës së OSBE-së për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe e përpjekjeve të saj për të promovuar integritetin, efikasitetin dhe transparencën në institucionet gjyqësore.
